NBA Dallas eliminohet nga kampionati

Ndodh që kampionët të bien që në pengesën e parë. Kështu i ngjau Dallasit në NBA-n amerikane, pasi u mposht 4-0 në raundin e parë të plej ofit në përfundim të fazës së rregullt. Përballë skuadrës së Dirk Novickit ishte Oklahoma e fortë e udhëhequr nga Kevin Durant dhe ndeshjen e katërt, ky ekip e fitoi brenda në Dallas me rezultatin 103-97.
Ishte një përballje e fortë që u vendos në çerekun e katërt dhe të fundit kur miqtë shënuan plot 19 pikë më shumë sesa Maveriksët. Për kampionët nuk mjaftoi gjermani Dirk Novicki që shënoi 34 pikë, ndërsa Xhejzën Kid dha 8 asistë. Oklahoma u udhëhoq nga Harden me 29 pikë, ndërsa Durant shënoi 24 dhe kapi 11 topa në tabela. Tashmë, Oklahoma pret fituesin e çiftit Lejkërs-Denver për t’u ndeshur në gjysmëfinalen e Konferencës Perëndimore.
Pikërisht, Lejkërsat janë një hap larg kualifikimit pasi fituan edhe ndeshjen e katërt ndaj Denverit, duke kryesuar 3-1. Suksesi i “Liqenasve” ishte 92-88, arritur në Denver dhe vendosur gjithashtu në çerekfun e fundit të ndeshjes. Brajant shënoi 22 pikë për fituesit, ndërsa vendasit u udhëhoqën nga italiani Galinari që shënoi 20 dhe kapi 6 topa ne tabela.
Në prag të eleminimit është Çikago që u mund në Filadelfia 82-89 dhe është në humbje me ndeshje, 1-3. Dëmtimi i lojtarit kryesor Rouz, po i kushton shumë Bullsave. Houis shënoi 22 pikë për Filadelfian, Iguodala kapi 12 topa ne tabela, ndërsa Holidei dha 6 asistë. Për Çikagon nuk mjaftoi Karlos Buzer që shënoi 23 dhe kapi 11 tabela.
Në pozicion të mirë janë San Antonio, që kryeson 3-0 ndaj Jutahut, Bostoni që po mund Atlantën 3-1 dhe Majemi që udhëheq ndaj Nju Jorkut po 3-1. Sonte, në program janë ndeshjet Jutah-San Antonio dhe Klipers-Memfis.