Juventus mposht Interin dhe bën Milanin të lumtur
Ka qenë një ndeshje plot emocione ajo e zhvilluar dje në “Olimpico” të Torinos, ku Juventusi priti Interin në derbin e Italisë. Ishte një ndeshje ku vendësit luftonin 90 minutat e fundit që do të mund t’i çonin në Champions dhe miqtë shpresat për titullin kampion. Dy skuadra të cilat të kushtëzuara nga klasifikimi duhet të fitonin për të rikuperuar nga gabimet e bëra, zikaltërit në fillim të sezonit dhe bardhezinjtë në fillim të 2011. Dhe, sikundër pritej, ka qenë një nga ato takimet e luftuar në çdo cep të fushës dhe deri në sekondat e fundit, sekonda ku Interi edhe mund të kishte barazuar me Samuel Eto’o që shpërdoron një rast të artë, teksa godet traversën. Por deri në ato çaste, rastet më të mira për shënim i kishin të zotët e shtëpisë. Del Neri hedh në sulm dyshen Toni-Matri, Kielinin të spostuar në të majtë të mbrojtjes dhe Sorensen në të djathtë. Leonardo i beson dyshes Pacini-Karzha dhe mbrojtësit Ranokia që nga fillimi. Sfida nis luftarake, por rastet e vërteta për shënim mungojnë, edhe pse tensioni është present. Gjithsesi, janë të zotët e shtëpisë që kalojnë në avantazh në minutën e 30-të me anë të Matrit, rezultat ky që nuk ndryshon deri në përfundim të 45-minutave të para. Në pjesën e dytë, Interi është më agresiv, ndërsa Juventusi qëndron në pritje për të goditur me kundërsulm. Dhe diçka e tillë mund të kishte ndodhur, nëse Matri nuk do të kishte gabuar në dy raste, një herë me kokë e një herë me këmbë. Gjithsesi, Interi beson dhe mund të kishte barazuar nëse Eto’o nuk do ta kishte përplasur në shtyllë nga fare pranë atë top të marrë nga Maikon pak çaste nga fundi i ndeshjes. Juventusi ngjitet në vend të gjashtë me 41 pikë, duke qëndruar në valle për një vend në Champions, ndërsa Inter në kuotën e 44 pikëve, 8 më pak se Milani, ndonëse kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.