E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta e Tirana ndajnë nga një pikë në “Niko Dovana”

Duhej të ishte fitorja e parë për trajnerin Misho Krstiçeviç, por në fakt, djemtë e Edi Martinit edhe kësaj radhe kanë bërë një paraqitje shumë të mirë, duke mos u lejuar thuajse asgjë miqve nga Tirana, por, duke pasur në disa raste edhe bashkëpunimin e sulmuesve bardheblu, që dje kanë qenë vërtet në një ditë të errët.

Teuta duhet të luajë pa Çotën në vijën e sulmit dhe Martini ia beson gjithçka Pepës. Nga ana tjetër, Krstiçeviç i beson dyshes Pejiç-Morina, si dhe duhet të bëjë llogaritë me një listë të gjatë të padisponueshmish, përfshirë edhe kapitenin Muka. Sfida në “Niko Dovana” nis e qetë, me ekipet që kërkojnë të fitojnë terren në minutat në vijim. Megjithatë, raste të vërteta për shënim nuk do të ketë në 45 minutat e para, duke i çuar ekipet në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë 0-0. Fraksioni i dytë i lojës është edhe më intensivi, ku praktikisht ndodh gjithçka. Pak minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Tirana mbetet me 10 lojtarë. Kryesori Peza ka nxjerrë jashtë me kartonin e kuq shkodranin Gilman Lika, i cili reagoi disi ashpër pas ndërhyrjes së një kundërshtari. Protestojnë bardheblutë që e cilësojnë vendimin e arbitrit të ekzagjeruar, por që nga ai moment, durrsakët do të jenë në superioritet numerik. Sfida bëhet interesante. Durrsakët besojnë se mund të marrin diçka më tepër sesa barazimi, aq më tepër me Tiranën të reduktuar me 10 vetë, por harrojnë hapësira të mëdha prapa, hapësira që nuk do të shfrytëzohen nga kryeqytetasit. Sikundër ndodhi edhe me Pero Pejiç, autorin e 12 golave, që pasi ka lënë pas mbrojtjen dhe shmangur portierin, humbet kohë me zotërimin e topit dhe godet drejt portës së boshatisur, por duke i dhënë mundësi Hotit të rikuperojë dhe ta nxjerrë topin në këndore! Tirana ka më shumë mundësi për të shënuar sesa vendësit, pasi është shumë më tepër konkrete në veprimet sulmuese, por nuk do të arrijë ta bëjë diçka të tillë. Teuta, nga ana tjetër e vuan mungesën e Çotës dhe nuk ka freski mendore në rastet që i paraqiten, duke mos e vënë në vështirësi konkrete portierin Ilion Lika. Si përfundim, dy skuadrat ndajnë nga një pikë. Teuta i shkëputet disi Besës dhe Kastriotit, duke i lënë pas me një pikë, në kuotën 22, ndërsa Tirana mund ta kishte shfrytëzuar më mirë këtë rast për t’u afruar Vllaznisë në vetëm një pikë, pasi shkodranët u mposhtën në Vlorë, por deri më tani, bardheblutë nuk mund të pretendojnë më tepër sesa forca e katërt në kampionat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›