E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventusi, emri i ri për stolin është Mançini

Ka një emër (jo) të ri në ambientin e trazuar të Juventusit. Emri dhe mbiemri i Roberto Mançinit. Ishte folur për këtë gjatë fundit të verës së kaluar, gati si të ishte një provokim, duke e cilësuar Mançinin ish-interist, por gjithsesi akoma i lidhur me klubin e Moratit me 6 milionë euro në sezon deri në fund të vitit 2011 (ose 2012), si trajnerin e ardhshëm të bardhezinjve. Po, pikërisht ai, Mançini që ka qenë për katër sezone "armiku" i betuar i Juventusit të epokës "Moxhi" dhe të Moxhit vetë, i atij ekipi që përfundoi në ciklonin "Calciopoli", dhe prej ku ridoli me fytyra të reja e drejtues të rinj. Mançini armik i Juves, Juventusi armik i Mançinit dhe Moratit. Kjo sfidë është konsumuar derisa është larguar tekniku, por ka ardhur Mourinjo, me ringritjen e Juventusit që synonte kampionat dhe Champions Ligë, dhe që tani gjendet në krizë me dëshirën për të ndryshuar, por jo vetëm Ranierin. Eshtë folur shumë gjatë këtyre javëve për zgjedhjet e së ardhmes, më e përfolura nga të cilat duket ajo e Prandelit, i cili pëlqehet nga gjithë bota juventine, por dihet se sa është dhe sa do të jetë e vështirë marrja e teknikut nga Fiorentina e vëllezërve Dela Vale. Eshtë folur për Rrafa Benitez, magjistarin spanjoll që drejton prej pesë vitesh Liverpulin, por në fillim duhet të jetë Liverpuli që ta prishë paktin me trajnerin; dhe kjo nuk është e lehtë. Eshtë pëshpëritur për Spaletin, por në Romë... Kështu ja ku jemi sërish te Mançini, si zgjedhje e orëve të fundit. Mançini ka bërë të ditur, nëpërmjet lidhjeve të tij (të pakta) miqësore, se deri më 30 qershor nuk ka ndër mend të rikthehet, dhe se e ardhmja e tij është e adresuar jashtë Italisë, për zgjedhje personale, pasi nuk mund të drejtojë një ekip tjetër italian pas Interit. Por kjo është një deklaratë përmbledhëse e qëllimeve, jo një bindje e vërtetë, besojmë. Mançini bardhezi mund të jetë zgjidhja për çështjen "Juve" verën e ardhshme: i lirë nga impenjimet direkt dhe pas një pakti të arritur me Interin, për zgjidhjen e kontratës. Deri atëherë nuk dihet se ç'do të ndodhë në kampin bardhezi, nëse do të vazhdohet me Ranierin apo me një zgjidhje të përkohshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›