E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lipi ia jep "Topin e artë" Mesit, jo Ibrahimoviçit

Trajneri i kombëtares: Juvja do të dalë nga kriza, por më shumë më ka befasuar Napoli

Spaleti gjtë këtyre viteve i ka veshur Romës një kostum të bukur, por, për fat të keq, ka pasur përballë një kundërshtar më të fortë dhe, kundër atij që është më i fortë nuk mund të bësh dot asgjë." Këtë e ka thënë trajneri i kombëtares italiane, Marçelo Lipi, në një intervistë për shtypin italian, i pyetur mbi takimin Roma-Inter të përfunduar 0-4. "Por Spaleti, - ka vazhduar ai, - ka bërë gjithçka mirë sezonin e kaluar deri në ndeshjen e fundit, madje ka qenë edhe kampion i Italisë për një orë. Ndërsa këtë vit kanë ndryshuar disa gjëra, duhen bërë disa modifikme të vogla, por asgjë nuk ka mbaruar."

HABIA - Marçelo Lipi ka qenë i befasuar nga paraqitja e Romës dhe nga deklaratat e Mourinjos: "Jam habitur nga ndeshja që ka bërë Roma. Nuk besoja se ata mund të ishin në gjendje të zhvillonin një ndeshje të tillë, me gjithë ato dëmtime dhe probleme që kanë pasur. Por fati ka dashur që të pësonin gol pesë minuta pas fillimit të ndeshjes. Ekipi reagooi dhe kishte disa raste të pastra për gol. Interi? Më ka bërë përshtypje ajo që ka thënë Mourinjo, që tregon se sa e fortë është organika e Interit: deklaroi se futi në fushë lojtarët, me të cilët ka pasur mundësi të punojë gjatë javës. Aktivizoi Obinanë, edhe pse amerikano-jugorët ishin kthyer. Edhe nga kjo shihet forca e një ekipi," - ka deklaruar Lipi.

JUVENTUS - Më pas, trajneri i axurrëve dhe ish-trajneri i Juventusit është optimist për sifdën e Championsit, që ish-ekipi i tij do të zhvillojë sot kundër Realit të Madrdit në Torino. "Juventusi mund të fitojë ndaj Realit, edhe pse është i kushtëzuar nga shumë dëmtime. Të flasim qartë: nuk mund t'u lejosh shumë hapësira kundërshtarëve që kanë bollëk dhe cilësi. Por në Madrid e dinë se në Torino kanë humbur gjithmonë, edhe pse ne kemi humbur gjithmonë atje, pra në aspektin psikologjik, ndoshta...,".

NAPOLI - Në këto shtatë javë të para të kampionatit, tekniku i kombëtares italiane ka pëlqyer më shumë futbollin që ka zhvilluar ekipi i Edi Rejas. "Ekipi që ka treguar futbollin më të bukur, - ka vazhduar Lipi, - deri tani në kampionat është Napoli. E reja e këtij ekipi janë vertikalizimet e shpejta. Kanë ndjekur rrugën e duhur, duke marrë dy ose tre lojtarë në vit. Kanë ditur të zgjedhin disa lojtarë, më pas... Të flasim hapur: Kush e njihte Garganon me shokë? Kanë ditur të ndërmarrin rrugën e rritjes së vazhdueshme."

TOPI I ARTE - Ndërkohë, Lipi, nuk është i vendosur se kush nga lojtarët kandidatë për "Topin e Artë" e meriton trofeun. Por për një gjë shprehet i sigurt: lista e kandidatëve duhet të kishte qenë më e shkurtër. "Për mua, kandidatët për "Topin e Artë" janë vetëm tre; mund t'i kishin kursyer 27 emrat e tjerë. Janë Kristiano Ronaldo, Torres dhe Mesi. Ibrahimoviç? Jo. Eshtë lojtar i madh, por duhet të fitojë diçka të rëndësishme në nivelin ndërkombëtar. Pas Botërorit, Kanavaro ka fituar "Topin e Artë" dhe çmimin "Lojtari më i Mirë i FIFA-s në Botë", pra duhet fituar Kupa e Botës ose Champions Liga, për ta fituar këtë trofe. Më i miri në botë? Për mua është Mesi," - është shprehur tekniku.

BALOTELI - Lipi duket se është në një mendje me portugezin Mourinjo, përsa i përket aktivizimit të Balotelit, për të cilin shumë njerëz mendojnë se është gati për të kaluar te kombëtarja e të rriturve. "Mos ta detyrojmë t'i kapërcejë shumë shkallë kaq shpejt, është akoma i ri. Po, ka shënuar dy gola, por është më mirë sikur të fitojë akoma më shumë eksperiencë, pasi është e rëndësishme që të rinjtë të marrin eksperiencën e duhur. Runi apo të tjerë, kanë debutuar shumë të rinj në kombëtaret e tjera? Po, por ishin lojtarë që kishin marrë eksperincë ndërkombëtare në klubet ku luanin. Eshtë e vështirë të aktivizosh një lojtar që nuk është titullar në klubin ku luan. Nuk më duket se jam kundër të rinjve. Kam marrë në kombëtare De Rosin, kur ishte vetëm 20 vjeç. T'i japësh një përgjegjësi të tillë një lojtari që është vetëm 18 vjeç, më duket si diçka e sforcuar," - ka përfunduar Marçelo Lipi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›