E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, burg pa afat rrëmbyesit të fëmijës 6-vjeç

Dosja e Gëzim Markut i kalon Prokurorisë për Krimet e Rënda. Gjykata liron taksistin transportoi fëmijën me makinë

LEZHË- Gjykata e rrethit të Lezhës ka dhënë dje masën e arrestit burg pa afat për 25- vjeçarin Gëzim Marku, nga fshati Gjadër, personi i cili mbajti për 20 orë peng një fëmijë 6- vjeçar me inicialet M.P. Pasi ka shqyrtuar materialet gjykata ka dhënë masën e sigurisë por edhe i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve te Rënda dosjen në ngarkim të 25- vjeçarit Marku pasi ai akuzohet për veprën penale te heqjes së lirisë të personit në rrethana rënduese. Sipas materialeve të publikuara dje në gjykatë, Gëzim Marku ka shkuar në shtëpinë e shtetasit A. P dhe i ka rrëmbyer djalin e vetëm 6 -vjeçar dhe është larguar me një taksi. Pak orë më vonë ai ka telefonuar fillimisht të atin e fëmijës për pengmarrjen,dhe më pas e ka konfirmuar atë duke i nxjerrë në telefon edhe te birin. Sipas burimeve të prokurorisë, të dy personat njiheshin prej kohësh dhe të dy kishin një dashnore të përbashkët. Pikërisht ky ishte edhe shkaku i sherrit mes tyre pasi Gëzim Marku pretendonte se i kishin marrë dashnoren por ky fakt nuk është konfirmuar ende. Gjatë seancës së djeshme, gjykata ka vendosur që të lërë të lirë taksistin që kishte “ndihmuar” në pengmarrjen e fëmijës gjashtë vjeç. Mark Ukaj është njeriu i cili kishte kryer transportin e Gëzim Markut dhe fëmijës së marrë peng. “Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se Ukaj nuk ishte në dijeni për pengmarrjen, pasi vetë fëmija nuk kishte paraqitur shenja shqetësuese gjatë transportimit me taksi. Për këtë arsye ne nuk kemi ngritur akuzë konkrete ndaj tij”,- thanë dje burimet e prokurorisë së Lezhës. Gjergj Figuri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›