Portugalia lë me pasoja kuqezinjtë
Duket se ndeshja e kombëtares me Portugalinë ka lënë pasoja te disa futbollistë kuqezinj. Por ka edhe nga ata, aktivizimi i të cilëve me sukses ndaj "luzitanëve" ka bërë efekt te klubet ku bëjnë pjesë. Gjatë fundjavës, të paktë kanë qenë ata "legjionarë", që kanë lënë gjurmë në ekipet e tyre. Titullarët kuqezinj Altin Lala dhe Erion Bogdani nuk kanë luajtur asnjë minutë me ekipet e tyre, Hanover 96 dhe Kievo. Ndërsa kapiteni Lala ishte në stol në ndeshjen kundër Hofenhaimit, Bogdanit iu desh ta shikonte nga tribuna përballjen me Atalantën. Sipas mediave italiane, sulmuesi shtatlartë ka pasur dhimbje të forta në shpinë, kjo si rezultat i dyluftimeve me mbrojtësit e Portugalisë në 45 minutat e para që luajti. Një tjetër lojtar i rëndësishëm i kuqezinjve, Ervin Skela, ka pasur probleme të shtunën. Kanë qenë dhimbjet në stomak, si pasojë e ushqimit, ato që e kanë detyruar fantazistin të mos përballojë më shumë se 45 minuta lojë në ndeshjen që Kotbusi i tij kishte me Këlnin. Pak minuta iu rezervuan edhe sulmuesit Edmond Kapllani ndaj Bajernit të Mynihut. Ndërkohë, nëse Lorik Cana nuk luajti me Marsejën, për shkak të kartonëve të verdhë, Besart Berisha qëndroi në stol për Rozenborgun. Biondi tashmë është një zgjidhje e dytë në sulm për ekipin norvegjez. Në fitoren e Alqit, në një gjendje të mirë u shfaq portieri Isli Hidi, ndërsa titullari Arjan Beqaj ishte lënë pushim. Në Ukrainë, Debatik Curri dhe Armend Dallku ishin titullarë për Vorsklën, ndërsa Ervin Bulku qëndroi në stol për Krivbasin. Por ndeshja me Portugalinë duket se dha më shumë efeket te mbrojtësi Kristi Vangjeli. Pas një periudhe të gjatë mosaktivizimi me Arisin, ai luajti 45 minutat e dyta ndaj Panionisit. Për 23-vjeçarin, që bëri një paraqitje të shkëlqyer ndaj Portugalisë, ky rikthim me selanikasit është shumë i rëndësishëm.
Bien Sllovakia dhe Turqia. FSHF-ja nuk e ka zyrtarizuar ende ekipin që do të luajë me kuqezinjtë më 19 nëntor
Miqësorja, Sllovenia kundërshtari i mundshëm
Fillimisht miqësorja me Sllovakinë më 19 nëntor u bë gati e sigurt, ndërsa më pas në skenë doli Turqia. Por Shqipëria nuk do të luajë me asnjë nga këto të fundit, në datën e lirë të FIFA-s. Duket se bisedimet me këto dy federata dështuan, dhe tani, sipas burimeve zyrtare në FSHF, po shikohet mundësia që Shqipëria të luajë me Slloveninë jashtë fushe. Por edhe për këtë të fundit, ende nuk është bërë asgjë zyrtare. Më parë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka deklaruar në një emision televiziv, se kombëtarja do të luajë ose me Turqinë në Stamboll, ose me Sllovakinë në Tiranë. E para ka zgjedhur një turne miqësor që do të zhvillohet në Arabinë Saudite, edhe pse kishte rënë parimisht dakord me FSHF-në.
"Po punojmë për të arritur marrëveshjen me Federatën e Sllovenisë. Bëhet fjalë që miqësorja të luhet në Slloveni. Duke qenë se edhe ne e kemi jashtë fushe ndeshjen eliminatore ndaj Maltës, kjo na intereson. Në ditët në vijim mund të kemi diçka më konkrete,"- sqaroi dje sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Arben Bici. Ndërkohë, gjatë grumbullimit të kombëtares në prag të ndeshjes eliminatore me Hungarinë, ish-futbollisti i kuqezinjve, Edvin Murati, u tregua i gatshëm për të ndërmjetësuar me ekipin B të Francës. Por kjo natyrisht që nuk mund të pranohej nga presidenti Duka, i cili me shaka tha: "Si mund të luajmë ne me kombëtaren B të Francës, kur lojtari ynë, Lorik Cana, është kapiten i Olimpik Marsejës? Kjo nuk ka sens." Gjithsesi, edhe vetë Duka, gjatë bisedave në lidhje me këtë miqësore, u tregua optimist. "Me shumë mundësi do të luhet ndaj Sllovenisë,"- tha ai. Megjithatë, duke pasur parasysh edhe të kaluarën, e vërteta është se FSHF-ja e ka pasur të vështirë për të gjetur një kundërshtar, i cili t'i afrohet shijeve të trajnerit. Aktuali i pankinës kuqezi, Ari Han, e ka përmendur shpesh këtë çështje, madje ka ironizuar për Lihtenshteinin, kundërshtari i Shqipërisë në miqësoren e zhvilluar më 20 gusht, që përfundoi 2-0 për kuqezinjtë. "Unë nuk doja këtë ekip, por Islandën apo Finlandën, të cilat i përshtateshin Suedisë,"- ka thënë holandezi. Edhe tani, kur duhen 30 ditë nga miqësorja, kërkesat e trajnerit Ari Han janë të njëjta për sa u përket emrave. "Dua kundërshtarë të fortë, pavarësisht se para kemi Maltën,"- mësohet se i ka bërë të ditur FSHF-së trajneri Ari Han. Data 19 nëntor është e vetmja mundësi që holandezi të shikojë lojtarët në prag të ndeshjes së radhës eliminatore me Maltën, që është në 11 shkurt të vitit tjetër.
Shpresa, miqësore me Maqedoninë në Ohër
Më 19 nëntor, që është një datë e lirë e FIFA-s, kombëtarja U-21 e Shqipërisë do të luajë një ndeshje miqësore me Maqedoninë. Burimenë FSHF kanë bërë të ditur për "Sportin shqiptar" se është arritur akordi me homologët maqedonas, që kjo miqësore të luhet në stadiumin e Ohrit, i cili është afër qytetit të Pogradecit. Trajneri i ekipit Shpresa, Artan Bushati, pritet të provojë për herë të parë lojtarët e brezit të ri, pasi nga eliminatoret e fundit, disave u ka kaluar mosha dhe nuk mund të jenë përsëri pjesë e 21-vjeçarëve. Aktiviteti zyrtar i kuqezinjve U-21 nis vitin tjetër, por më parë UEFA do të hedhë shortin, për të përcaktuar grupet.