Konflikti për pronën, granatë firmës së ndërtimit
TIRANË- Një shpërthim granate për një konflikt prone ka terrorizuar banorët e kryeqytetit mbrëmjen e djeshme në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 pranë zyrës së një firmë ndërtimi. Efektivat e komisariatit të policisë nr.2, të sinjalizuar për ngjarjen mbërritën menjëherë për të zbuluar shkaqet dhe autorët e ngjarjes. Policia rrethoi zonën përreth për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes ndërsa mori në pyetje banorët e pallatit si dhe punonjësit e firmës së ndërtimit për të cilën u dyshua se ishte “shënjestra” e këtij sulmi me granatë. Burime nga policia thanë se një orë pas ngjarjes u identifikua dhe u kap i autori i dyshuari kryesor i hedhjes së granatës. Të njëjtat burime thanë se Elton Bendo 32-vjeç dyshohet të jetë autori i cili hodhi granatën pranë zyrave të një firmë ndërtimi pas një sherri me këtë të fundit për çështje pronësie.
Motivi
Elton Bendo pronar i një pjesë tokë pranë lagjes “Ali Demi” në Tiranë ka vendosur të hakmerret me një granatë ndaj firmës ndërtuese e cila kishte marrë përsipër të ndërtonte një objekt në tokën e tij. Prej disa kohësh drejtuesit e firmës ndërtuese ishin në negociata me pronarin e tokës për të ndërtuar një objekt. Por duket se pronari i tokës ku do të kryheshin ndërtimet, nuk ka rënë dakord me pazarin e vendosur prej firmës ndërtuese. Megjithëse Elton Bendo ka tentuar të bindë ndërtuesit të pranojnë ofertën e tij, ka dështuar. Pasi nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, 32-vjeçari Bendo ka vendosur të hakmerret. Mbrëmje rreth orës 20:30 ai ka shkuar pranë zyrave të kësaj firme ndërtimi, dhe ka hedhur një granatë. Pasi ka shpërthyer granatën ai është larguar me shpejtësi për tu kapur vetëm një orë më pas nga forcat e policisë.
Policia
Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë të komisariatit nr.2, të cilët kanë në juridiksion zonën ku ndodhi shpërthimi. Zyrtarë të lartë të drejtorisë së policisë së Tiranës dhe komisariatit nr.2, mbërritën në vendin e ngjarjes për të mësuar detajet, ndërsa grupi hetimor mundi të zbardhte shkakun dhe autorin e dyshuar të ngjarjes. Policia mori në pyetje banorët e pallatit të cilët ishin shokuar nga shpërthimi. Ndërkohë që kanë qenë edhe drejtuesit e firmës së ndërtimit që ka zyrat në pallatin gjashtë katesh ku u hodh granata të cilët deklaruan konfliktin me pronarin e një trualli. Elton Bendo është i dyshuari kryesor që ka hedhur granatën për të kërcënuar firmën ndërtuese që të mos nisë ndërtimet e objektit në tokën e tij pasi nuk ka pranuar ofertën e saj. Në orët e vona të mbrëmjes policia i komunikoi 32-vjeçarit masën e arrestit.