Juventusi, "jo" 97 milionë eurove të Man. Sitit për Bufon e Trezege
Mançester Siti vazhdon të "hedhë rrjetat" nga Juventusi për t‘u përforcuar me lojtarë cilësorë. Pronarët arabë të klubit anglez janë të gatshëm të ofrojnë 97 milionë euro për blerjen e portierit Xhanluixhi Bufon dhe sulmuesit David Trezege, por bardhezinjtë duken të palëkundur dhe nuk mendojnë të shesin dy prej lojtarëve më të mirë të skuadrës. "Tuttosport" pretendon se sheiku Mansur bin Zajed Al Nahian është i gatshëm t‘i ofrojë klubit torinez 75 milionë euro për "gardianin" më të mirë në botë dhe 22 milionë euro për bomberin francez. Objektivi është që, me këta dy yje të futbollit evropian (por edhe shumë të tjerë), Siti të shndërrohet në një prej skuadrave elitare jo vetëm në Premiership, por edhe në arenën ndërkombëtare. Financat e klubit, pas ardhjes së pronarëve të rinj, janë 600 milionë euro: nëse do të transferohej në Istlends, Bufon do të përfitonte 15 milionë euro rrogë sezonale. Gjithsesi, Juventusi nuk ka ndërmend të shesë Bufon, pavarësisht ofertës marramendëse, pasi ai është një ikonë e klubit. Edhe kalimi i Trezeges duket i pamundur, të paktën në merkaton e janarit. Duke folur për francezen "L‘Equipe", menaxheri i sulmuesit, Antonio Kaliendo tha: "Siti më kontaktoi, ashtu si edhe një klub i madh spanjoll, por Juve e cilëson Davidin të pashitshëm në janar".