E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventusi kërkon 3 pikë për të harruar Napolin

Izraelitët e Makabi Haifas besojnë se mund të bëjnë mrekullinë në ndeshjen e sotme kundër Juventusit, e vlefshme për grupin A të Ligës së Kampioneve. Takimi që do të luhet në qytetin e Ramat Gan është tepër i rëndësishëm për fatet e dy skuadrave në këtë kompeticion. Megjithëse do të ketë përballë një nga ekipet më të forta të Evropës, trajneri i Makabit Elisha Levi u shpreh optimist për shanset e skuadrës së tij. “Deri tani kemi luajtur 3 ndeshje në Champions League, ku nuk kemi shënuar asnjë gol, por mendoj se në fushë nuk ka patur shumë diferenca mes nesh dhe skuadrave të tjera”, deklaroi Levi. “Ne e dimë se Juventusi është një ekip i fortë, por në krahun tjetër besoj se i kemi mundësitë për ta fituar këtë ndeshje”. Makabi Haifa ka pësuar 3 humbje në 3 takimet e para në Ligfën e Kampioneve, por për kapitenin Janiv Katan ndeshja me Juventusin do të jetë komplet tjetër.
Ndërkohë, Juventusi mban vendin e dytë në grupin A me 5 pikë, por forma e bardhezinjve nuk duket aq brilante. Të shtunën skuadra e Çiro Ferrarës u mund 3-2 në kampionat nga Napoli, duke treguar probleme të mëdha në mbrojtje. “Nuk jemi të kënaqur me punën tonë dhe kur humbet pasi je duke kryesuar 2-0, nuk ka asnjë alibi”, deklaroi portieri Xhixhi Bufon. Ai shtoi se askush nuk duhet ta nënvlerësojë Makabin, që në Torino u mund vetëm nga një gol. Ndërkohë trajneri Çiro Ferrara ishte i qartë në deklaratën e tij, duke thënë se nuk i intereson aspak se si do të luajë skuadra, por vetëm të fitojë. “Shpresa jonë është të fitojmë në një mënyrë spektakolare, por nëse më duhet të zgjedh mes të bërit përshtypje të mirë dhe fitores, zgjedh këtë të dytën”, deklaroi ai.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›