Juventusi në delir, tani të gjithë ëndërrojnë titullin kampion
Lojtarët, por edhe ish-trajneri Lipi janë entuziastë për paraqitjen e bërë në triumfin 2-0 ndaj kampionëve të Italisë
Xhanluixhi Bufon e ka krahasuar ekipin e Juventusit të drejtuar nga Antonio Konte, me ekipin që kishte ndërtuar Marçelo Lippi në vitet 1990 dhe Fabio Kapelo një dekadë më pas. Pas triumfit ndaj kampionit në fuqi, Milanit, në derbin e mbrëmshëm, Juventus qëndron në vendin e parë të tabelës së Seria A dhe Bufon mendon se ata kanë potencial për të fituar trofe të mëdhenj sërish. “Ky Juventus është në proces të bëhet ekip i vlerave, si ai i Marçelo Lipit dhe i Fabio Kapelos. Çdokush kishte dyshuar se ato ekipe do të luftonin për tituj dhe nëse mund ta fitonin Ligën e Kampionëve. Ne jemi një ekip i mirë, që është i aftë të luftojë për titujt sërish. Ne jemi në rrugë të duhur”, - ka thënë Bufon. Ndërkohë, ish-trajneri i përfaqësueses së Italisë, Marçelo Lipi ka deklaruar se ish-klubet e tij, Juventus dhe Napoli, janë në rrugë të mirë për ta fituar titullin e Italisë këtë edicion. Të dyja skuadrat arritën të fitojnë kundrejt gjigantëve milanezë, Inter dhe Milan, ndërsa Lipi mendon se janë pikërisht këto dy klube që do të luftojnë për titull. “Mendoj se edhe Juventusi edhe Napoli do të luftojnë për titull këtë sezon. Megjithatë, aty janë edhe Milani, Interi dhe Udineze”, - ka thënë Lipi. Por zërave të lumtur të fitores ndaj Milanit u është bashkuar edhe kapiteni Alesandro Del Piero. Ndonëse ai nuk ua aktivizua asnjë minutë, në mesazhin dërguar të gjithë fansave të tij në Facebook, tregonte kënaqësinë e tij. “Sot (dje) jam zgjuar vonë, a thua se kisha luajtur 90 minuta. Ishte një kënaqësi që të fitoje ndaj Milanit dhe kjo është një dhuratë për të gjithë tifozët”.
Suedezi
Ibrahimoviç: Urime Juventusit
Zlatan Ibrahimoviç ka pranuar se Juventusi e meritoi fitoren në derbin e të dielës mbrëma në Seria A përballë Milanit. “Ishte një ndeshje e vështirë, ata ishin më të mirë se ne. Rezultati ishte i duhuri. Ata ishin më të mirë në të gjitha aspektet. Ne nuk e luajtëm ndeshjen tonë ashtu siç duhej. Urime për ta për ndeshjen e luajtur aq mirë”, - ka thënë Ibra në një deklaratë për faqen zyrtare të Milanit.