E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventusi në finale të Kupës

Pavarësisht barazimit prej 2-2 përballë Milanit, Juventusi  ka siguruar kualifikimin në finale të Kupës së Italisë falë rezultatit më të mirë në të dy ndeshjet gjysmëfinale (4-3).

Në takimin e parë të zhvilluar në San Siro, Juventusi fitoi me rezultat 2-1, ndërsa pas barazimit në Juventus Stadium, Zonja e Vjetër kualifikohet në finale.

Vendasit zhvilluan një gjysmë të parë impresionuese dhe me meritë e përfunduan me avantazh. Alessandro Del Piero reagoi shpejtë pas krosimit të Lichtsteiner dhe çoi në ekstazë tifozët në Juventus Stadium (28’).

Në gjysmën e dytë Philippe Mexes dërgoi një top në zonë dhe Djamel Mesbah ishte aty për t`i barazuar shifrat (51’).

Në vazhdim, ndërkohë që Milani po tentonte ta shënojë golin për të siguruar vazhdimet, Juventusi përpiqej që t`i japë fund dilemës për finalistin.

Në këtë aspekt më të suksesshëm rezultuan lojtarët mysafirë, të cilët kaluan në avantazh përmes Maxi Lopez (81’), ashtu që u desh të zhvilloheshin vazhdimet për ta vendosur fituesin.

Në vazhdime, Mirko Vucinic pranoi një pasim nga Andrea Pirlo dhe në mënyrë mjeshtërore e barazoi rezultatin (96’), i cili i kualifikonte Bianconerët.

Duke qenë se Milani nuk arriti ta shënojë edhe një gol, Rossonerët u eliminuan nga Kupa.

Në finale të Coppa Italia, Juventusi do të luajë kundër fituesit të duelit mes Sienas dhe Napolit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›