‘Ringjallja’ e Muambas

Nga frika në shpresë. Fabrice Muamba është më mirë. Në komunikatën e lëshuar nga Boltoni dhe nga spitali London Chest Hospital shpjegohet se futbollisti po vazhdon të tregojë sinjale përmirësimi.
Zemra e mesfushorit të Boltonit ka filluar të rrahë e vetme, pa ndihmën e instrumenteve mjekësore dhe ka shenja të lëvizjes së artereve. Ndërkohë, 23 vjeçari ka qenë në gjendje edhe t’i njohë familjarët dhe të flasë.
“Ai po përmirësohet. Tash është në gjendje më të mirë. I ka njohur familjarët dhe është përgjigjur në mënyrë të lakmueshme, në pyetjet që i janë bërë. Por, përkundër këtij fakti, ai mbetet i monitoruar në terapi intensive”, njofton klubi dhe spitali anglez.
Sipas shokut të tij të skuadrës, Curtis Codrington, i cili i ka bërë vizitë të hënën paradite, Fabrice i ka thënë disa fjalë anglisht dhe frëngjisht. Të gjithë, përfshirë këtu tifozët, lojtarët, menaxherët dhe udhëheqësit e klubeve, i kanë bërë homazhe dhe janë lutur për futbollistin e pafat, i cili pësoi një sulm në zemër, fundjavën që shkoi në White Hart Lane gjatë ndeshjes çerekfinale të FA Cup ndërmjet Boltonit dhe Tottenhamit.
Fansat e shumicës së klubeve si ata të Manchester Unitedit, Cityt e Liverpoolit, janë bashkuar, sepse në momente të tilla, dhimbja nuk njeh ngjyra. E fejuara e futbollistit, Shauna, e ka shfaqur të gjithë gëzimin që e ndien, përmes rrjetit social, Twitter.
“Të gjitha lutjet tuaja po funksionojnë. Faleminderit shumë”, ka shkruar ajo, duke i këshilluar të gjithë që të vazhdojnë të luten, pasi që ‘jeta e Muambas mbetet në duart e Zotit’. Ndërsa Joshua, djali i tij 3 vjeç, shpreson që ta shohë shumë shpejt babanë e tij.
Rasti i Muambas ua ka hapur sytë shumë njerëzve, sidomos drejtuesve të Federatës së Futbollit të Anglisë (FA), që tash e tutje do t’i ndryshojë rregullat, duke i shtuar kontrollet ndaj lojtarëve. Të hënën, lojtarët e Tottenhamit i janë nënshtruar një kontrolli kardiak, ndërsa nuk është vërejtur tek ndonjëri prej tyre ndonjë problem.
Rrugën e klubit londinez do ta ndjekin edhe klubet tjera, shumë shpejt, për t’u siguruar që nuk kanë në ekip ndonjë lojtar me probleme kardiake. Gjithashtu, Muamba duhet t’ia dijë për faleminderit portierit të Chelseas, Peter Cech dhe mjekut Andrew Deaner.
Ngase, pasi portieri çek kishte mbetur pa vetëdije në vitin 2006 në Madejski Stadium të Readingut, për shkak të një përplasjeje me një kundërshtar, Premierliga i kishte ‘shtrënguar’ rregullat e sigurisë dhe nga ajo kohë gjithmonë nëpër stadiume gjendet një autoambulancë, me përdorimin e një defibrilatori.
Kjo edhe ia shpëtoi jetën Muambas, por nuk duhet harruar edhe intervenimin e kardiologut të London Chest Hospital, Deaner, i cili kishte qëndruar fatmirësisht në stadium për ta shikuar ndeshjen. Edhe ky i fundit ka luajtur rol kyç në rastin Muamba.