E Diel, 1 Nëntor 2026

K. Ronaldo: Barça e fortë, por nuk do të merrja asnjë prej tyre

Eventi mondan, 20-vjetori i "El Larguero", emisionit të famshëm sportiv radiofonik i "Cadena Ser", ka qenë një nga ngjarjet e mbrëmjes në Spanjë. Kristiano Ronaldo ishte pjesëmarrës me një intervistë të gjatë, ku i është përgjigjur pyetjeve personale, në lidhje me jetën e tij si lojtar dhe si njeri. Fillimisht, kampioni i Realit të Madridit flet për shëndetin e tij: "Fizikisht jam më mirë se kurrë. Duhet të jem i kujdesshëm me këtë dëmtim, por do të kthehem shpejt të luaj". Për momentin, skuadra më në formë e kampionatit spanjoll duket Barcelona dhe portugezi ia njeh vlerat dhe nuk nguron të shprehë respektin e tij. "Po luan shumë mirë, shpjegon ai. Pasi kanë fituar Champions League, ka më shumë mundësi se skuadrat e tjera, që një lojtar të fitojë Topin e Artë, (që Ronaldo është ende mbajtësi në fuqi). Nëse do të kishte fituar Junajtid, mund t‘ia kishin dhënë njërit prej tyre. Në këtë moment Ksavi, Iniesta e Mesi po luajnë shumë mirë, por nëse do të duhet të merrja një nga gjithë ata lojtarë të mirë që kanë, nuk do të zgjidhja asnjë". Deklaratë pak e tepruar. Lizitani bën edhe një përshkrim të vetes, duke folur për tema si pushimet e nxehta, historitë e shumta të dashurisë dhe lidhjen e tij me Paris Hilton. "Jam një person i drejtpërdrejtë, transparent. Gjatë sezonit, askush nuk mund të më fajësojë, sepse jam një sportist ekzemplar. Por gjatë pushimeve është e nevojshme të përfitojmë dhe të bëjmë atë që na pëlqen më shumë. Më kanë mësuar të jem një person i vërtetë. Nëse pëlqehem, mirë. Nëse nuk pëlqehem, nuk ka problem. Jam rritur para kohe falë rrethanave të jetës". Dhe këtu vjen një lajm i keq për napolitanen Rafaela Fiko, që kishte lënë të kuptohet se kishte një lidhje të rëndësishme me yllin e Realit (pak ditë më parë ajo shprehej: "Jemi bashkë që prej rreth 6 muajsh"). "Në këtë moment nuk jam i dashuruar", thotë CR9, i cili zbulon më pas prapaskenat e jetës sentimentale: "Kam vuajtur për dashurinë si të gjithë dhe qartësisht edhe më kanë lënë. Jam një person i ndjeshëm, madje edhe kam qarë për dashurinë". Sa i përket kalimit te Reali pohon: "Të luaja te Reali ishte një ëndërr. I kisha thënë Fergusonit dhe ai duhej të respektonte opinionin tim. Më ka kuptuar dhe Junajtid më ka ndihmuar të largohem, sepse dëshiroja diçka ndryshe".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›