Mançester, "Old Trafford" është kryeqyteti i tifozëve
Janë katër stadiumet, ku ndeshjet e futbollit ndiqen nga mbi 70 mijë tifozë. Këta janë "Olld Traford", "Iduna Park", "Kamp Nou" e "Santiago Bernabeu". Mesatarja e tifozëve që kanë mbushur këto stadiume në sezonin 2008-2009 është 70 mijë. Por askush nuk është si ata: tifozët e Mançester Junajtid, Borusia Dortmund, Barcelonës dhe Real Madridit. Këtë e thotë renditja e mesatares së spektatorëve në kampionatet përkatëse në sezonin e kaluar. Kryeqyteti europian i tifozëve është Mançesteri. Të dhënat i referohen vetëm ndeshjeve të kampionatit, në të cilin "Red Devils"-at kanë sjellë në stadium një mesatare prej 75.304 tifozësh. Vitin e kaluar ishin të dytët, tani janë në krye duke marrë vendin e mbajtur nga tifozët e Realit të Madridit, i cili gjatë sezonit të fundit ka përfunduar në vendin e katërt. Në "top 10" janë dy klube angleze (1 Junajtid, 7 Arsenal), 2 spanjolle (3 Barcelona, 4 Real Madrid), 1 italian (8 Milan), 1 skocez (9 Sëlltik), 4 gjermane (2 Borusia Dortmund, 5 Bajern Mynih, 6 Shalke 04, 10 Hamburg).