K. Ronaldo: Më pëlqejnë tipat si Zhoze Murinjo
“Murinjo ka një mentalitet fituesi dhe mua më pëlqejnë trajnerët me këtë karakteristikë. Por me Pelegrinin ndihem mirë dhe shpresoj të qëndrojë me ne të paktën edhe për dy apo tre vite”, thotë Kristiano Ronaldo. Edhe pse është blinduar nga një kontratë e pasur nga Interi, nuk ka javë që të mos përflitet Zhoze Murinjo te Real Madrid. Trajneri luzitan është prototipi i trajnerit fitues që kërkojnë madrilenët, por po të dëgjosh Ronaldon, Pelegrini është më se i mirë. “Me të kam një marrëdhënie të mirë. La Liga? Mundet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura, thotë ylli portugezi, gjithçka është ende e hapur”. Por sipas të përditshmes “Sport”, do të jetë Zhoze Miguel Gonzalez Martin del Campo, i njohur me emrin Michel, emri i ri për pankinën e Realit. Trajneri i Gedafes, ish-lojtari madrilen, i cili me Butragenjo ka bërë histori në klubin “balanco” në vitet ‘80, pëlqehet shumë nga presidenti Florentino Perez për lidhjen e tij të fortë me ambientin e Madridit. Sipas “Marca”-s, trajneri aktual i “merengues”, Pelegrini, mundet që të ulet në pankinën e Valencias. Ndërkohë që nuk ka pasur asnjë takim mes Florentino Perez apo Horge Valdanos, për çesk Fabregas. Babai i kapitenit të “Gunners” ka përgënjeshtruar mediat katalanase në lidhje me një takim të mundshëm me drejtuesit e Real Madrid për transferimin e të birit te madrilenët. “Fundjavën e kaluar kam qenë në shtëpi, rrëfen ai. E vetmja gjë e vërtetë është se kam bërë shëtitje rrugëve të Barcelonës me vajzën time. Nuk kam takuar askënd tjetër”.
#