Premio Romës, 20 milionë nëse do ta fitojë titullin
Njëzetë milionë euro premio në rast se do të fitojë titullin. Klubi verdhekuq ka përcaktuar shpërblimin final për skuadrën dhe për stafin teknik, në rast se djemtë e drejtuar nga trajneri Ranieri do të mund të shpallen kampionë të Italisë në këtë sezon. Ndërkohë që vetë tekniku roman do të përfitojë një milion euro, të gjitha për të, nëse do të mund ta bëjë surprizën, të bëjë që stampa trengjyrëshe, e cila nënkupton titullin, të vihet në gjoksin e skuadrës, që e mori në fundin e tabelës së klasifikimit dhe e çoi në majën e renditjes në kampionat. Rosela Sensi, në rastet e triumfeve në ndeshjen me rivalin për titull, Interit dhe me kundërshtarin e përjetshëm në kryeqytet, Lacion, ia ka bërë të njohura skuadrës premiot për ndeshje, që janë: nga një televizor plazma, ora, ose celularë të gjeneratës së fundit. Nga Viminale ka rrjedhur edhe një ide për të luajtur ndeshjen Roma-Sampdoria në orën 20:45, duke shtyrë kështu orarin e parashikuar në 15:00 për arsye sigurie. Komisioni i Sigurisë në stadiume ka vendosur që të lejojë dhe praninë e tifozëve të Sampdorias (e cila luan për vendin e katërt, i fundit që të çon në Champions League) në stadiumin “Olimpik” të Romës, edhe pse në një moment të mëparshëm ua kishte ndaluar një gjë të tillë. Ata që me siguri nuk do të mungojnë në këtë përballje të madhe janë tifozët verdhekuq, të cilët i kanë blerë në tri ditë të gjitha biletat për të qenë të pranishme në mesin e ultrasve. Roma tashmë është në kuotën e 71 pikëve, një më shumë se sa Interi, i cili këtë javë do ta presë në shtëpi Lacion.
#