Mali i Zi, jo referendumit
Me gjithë presionet dhe grevat e opozitës, kryetari i parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç ka deklaruar, se pushteti malazez nuk do të pranojë organizimin e referendumit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Nuk ka rast në botë që dikush për shkak të politikës së jashtme dhe çështjeve të shtetit tjetër të ketë kërkuar organizimin e referendumit në shtetin e vet, siç kërkojnë tani partitë opozitare në Mal të Zi”, tha Krivokapiç për një të përditshme të Podgoricës. Duke komentuar një deklaratë të mitropolitit të kishës ortodokse serbe, Amfiloje Radoviç, për rrezikun e një lufte të re në Ballkan, Krivokapiç shtoi se me “mitropolitët e tillë kisha serbe mbetet edhe më tej kërcënim kryesor për Serbinë demokratike dhe paqen në rajon”. “Meqenëse autorët e luftës nuk janë dënuar si duhet dhe ideologjia e tyre e gjakut dhe truallit nuk është çrrënjosur, atëherë kësaj radhe i besoj zotit Radoviç”, tha Krivokapiç duke shtuar se i njëjti program shtetmadh është aplikuar nga kuislingët çetnikë në Luftën e Dytë Botërore dhe është aktivizuar në shpërbërjen e Jugosllavisë.