K. Zgjedhor rrëzon ankimimin e Partisë Konservatore
TIRANE- Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesë padinë e Partisë Konservatore e cila kërkon rrëzimin e vendimit të KQZ-së të datës 11 korrik 2009 për tabelën e rezultateve të Qarkut Durrës.
Duke kërkuar rrëzimin e vendimit të KQZ-së, Partia Konservatore, me kryetar Armando Ruçin, i kërkoi anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor njohjen dhe pranimin e pretendimeve të saj. Sipas tij janë kryer veprime arbitrare në katër KZAZ-të e Qarkut Durrës ndaj këtij subjekti zgjedhor.
Sipas juristëve të KQZ-së ankesa e paraqitur nga konservatorët është "e pambështetur në prova dhe ligj".
Pas dëgjimit të palëve, trupa gjyqësore e përbërë nga pesë anëtarë, ku relator i kësaj çështje është gjyqtari Petraq Dhimitri, mori vendimin për rrëzimin e kërkesës ankimimore të Partisë Konservatore.
Ndërkohë është marrë në shqyrtim kërkesa e Partisë Demokratike për qarkun e Fierit. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë.
(e.n/BalkanWeb)