E Shtunë, 31 Tetor 2026

K. Zgjedhor shqyrton ankimimin e Partise Konservatore

Trupa gjyqësore e Kolegjit Zgjedhor është tërhequr për të marrë vendim lidhur me ankimimin e Partisë Konservatore për rrëzimin e vendimit të KQZ-së për tabelën e rezultateve të Qarkut Durrës. 

TIRANE- Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë mori sot në shqyrtim ankimimin e Partisë Konservatore. Ajo kërkon rrëzimin e vendimit të KQZ-së të datës 11 korrik 2009 për tabelën e rezultateve të Qarkut Durrës.

Duke kërkuar rrëzimin e vendimit të KQZ-së, Partia Konservatore, me kryetar Armando Ruçin, i kërkoi anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor njohjen dhe pranimin e pretendimeve të saj. Sipas tij janë kryer veprime arbitrare në katër KZAZ-të e Qarkut Durrës ndaj këtij subjekti zgjedhor.

Sipas juristëve të KQZ-së ankesa e paraqitur nga konservatorët është "e pambështetur në prova dhe ligj".

Pas dëgjimit të palëve, trupa gjyqësore e përbërë nga pesë anëtarë, ku relator i kësaj çështje është gjyqtari Petraq Dhimitri, pritet të tërhiqet për të marrë vendim lidhur me administrimin e provave të paraqitura nga Partia Konservatore dhe më pas për të vendosur përfundimisht për kërkesën ankimore të këtij subjekti zgjedhor.

Sipas Kodit Zgjedhor, vendimet e Kolegjit janë të formës së prerë. Tetë anëtarët e kësaj trupe gjyqësore e ushtrojnë detyrën e tyre deri në përfundim të legjislaturës së ardhshme.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›