Hipotekat, Bashkia gati tapitë për 3 mijë apartamente
Bashkia e Tiranës plotëson dokumentacion për 124 objekte dhe i hap rrugë hipotekimit të rreth 3 mijë apartamenteve. Basha: Interesi i Bashkisë nuk përfundon me dërgimin e dosjeve, por me regjistrimin e çdo objekti që ne çojmë të plotësuar me leje shfrytëzimi
Jonida Tashi
Bashkia e Tiranës i hap rrugë hipotekimit të rreth 3 mijë apartamenteve në kryeqytet, poseduesit e të cilëve do të pajisen së shpejti me tapitë përkatëse. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dërgoi dje në Ministrinë e Drejtësisë dosjet e 124 objekteve, ose të 3 mijë apartamenteve, për pajisjen e tyre me certifikatën e pronësisë, duke mbyllur kështu fazën e parë të procesit. Bashkia e Tiranës verifikoi dhe plotësoi dokumentacionin tekniko-ligjor për këto objekte sipas ligjeve në fuqi dhe i vuri në dispozicion Ministrisë së Drejtësisë, institucion nga i cili varet Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Tiranës, me qëllim pajisjen e tyre me hipotekë. Mosdhënia e lejes së shfrytëzimit nga Bashkia ka qenë deri sot pengesa kryesore për regjistrimin e këtyre pasurive, ndërkohë që janë mbi 3 mijë familje, të paktën 12 mijë qytetarë në kryeqytet, që përfitojnë nga ky akt. Në fakt, hipotekimi i apartamenteve në Tiranë ka qenë një nga premtimet zgjedhore të z.Basha dhe shihet si realizim i të drejtës themelore të pronësisë, por edhe një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të Tiranës, duke pasur parasysh efektet që do të sjellë në treg çlirimi i këtij kolaterali, deri tani i ngurtësuar. Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, shprehu kënaqësinë e tij për fillimin e procesit të hipotekimit të apartamenteve në Tiranë, gjatë një konference për shtyp që mbajti dje me këtë rast. “Ky është një detyrim, një shërbim dhe zgjidhja e një problemi të mprehtë social. Edhe njëherë dua të theksoj vendosmërinë tonë për të ecur përpara edhe në dy fazat e tjera dhe ndërkohë që falenderoj bashkëpunëtorët për punën që kanë bërë, jam i bindur se me të njëjtin përkushtim, bashkëpunim edhe me organet e tjera përkatëse të shtetit, do të përmbyllim edhe dy fazat e tjera”, - tha Basha. Por, përveç 3 mijë apartamenteve që kanë hyrë tashmë në procesin e marrjes së certifikatës së pronësisë, në kryeqytet janë edhe 20 mijë të tjerë që duhet të hipotekohen. Për këto të fundit, kryebashkiaku ka shpjeguar se procesi i hipotekimit do të kalojë edhe në dy faza të tjera, të cilat do të përfshijnë identifikimin e firmave të ndërtimit që kanë bërë shkelje, si dhe ngërçi që ato mund të kenë sjellë në mospajisjen e qytetarëve me hipoteka. “U bënë pesë muaj, që nga premtimi për të përfunduar procesin e gjatë, të lodhshëm e të padrejtë të mos hipotekimit, duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare, e cila konsiston në hipotekim në tri faza të mbi 19 000 afro 20 000 apartamenteve në qytetin e Tiranës, që prekin rreth 20 mijë familje, pra një popullsi jo më pak se 80 mijë qytetarë të Tiranës. Sot përmbyllim fazën e parë të këtij procesi, duke mbajtur premtimin për 124 objekte, të cilët përfaqësojnë afro 3 mijë familje, 12 mijë qytetarë të Tiranës”, - shpreh kryebashkiaku. Sipas tij, procesi i hipotekimit i hap rrugën likuiditetit masiv në tregun e kapitalit në Tiranë, apo, thënë me fjalë më të thjeshta, këto 124 objekte nuk përfaqësojnë vetëm llaç, tulla, mure, beton, por përfaqësojnë një vlerë kapitale.
Ndërtimet me probleme, si do të procedohet për 20 mijë banesa
Nis në fillim të vitit 2012 faza e tretë e hipotekimit. Basha: Asnjë objekt nuk do të mbetet pa leje shfrytëzimi
Faza e tretë e hipotekimit të apartamenteve në Tiranë, që është edhe më problematikja, pasi ka të bëjë me banesat e blera në ndërtime me probleme, një ndër të cilat është edhe mungesa e lejes së shfrytëzimit, do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm. Ky afat është bërë i ditur nga vetë kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili ka garantuar se nuk do të mbetet asnjë objekt pa leje shfrytëzimi, ndërkohë që janë rreth 20 mijë apartamente në Tiranë që nuk e kanë marrë këtë leje, ose kanë probleme të tjera ligjore, që janë bërë nga ndërtuesit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, duke iu përgjigjur pyetjeve të medias, ka bërë të ditura të gjitha procedurat që do të ndiqen për fazën e tretë të hipotekimit të apartamenteve.
Pyetjet dhe përgjigjet në konferencë
Z. Basha, të mos marrësh lejen e shfrytëzimit do të thotë që ndërtuesi ka bërë shkelje të projektit dhe deri shtesa katesh. Këto objekte që ju dhatë, çliruat lejen e shfrytëzimit, ku konsistonin shkeljet e tyre?
Shkelja e vetme ka qenë nga autoritetet e pushtetit lokal, të cilët për mungesë përgjegjësie apo kompetence kanë vonuar pa asnjë shkak lejet e shfrytëzimit. Kategoria që ju përmendët i përket fazës së dytë, e cila do të trajtohet sipas ligjit në fuqi dhe sipas Memorandumit të Bashkëpunimit, ku përgjegjësia e Bashkisë së Tiranës do të konsistojë nga njëra anë në mos penalizimin e qytetarëve që kanë blerë këto apartamente, por nga ana tjetër padyshim në marrjen e masave përkatëse, qofshin këto vënie para përgjegjësisë së zhvilluesve për shkelje të parametrave urbanë apo qofshin ruajtja e parametrave urbanë aty ku ekziston.
Kur nis kjo fazë?
Faza e dytë ka nisur, por përfundimi i fazës që është zakonisht edhe moment i bërjes transparente para publikut, shpresoj se nuk do të zgjasë më shumë se sa fundi i këtij viti. Procesi i hipotekimit natyrisht përmbyllet në Hipotekë dhe unë natyrisht nuk dua t’i pararend këtij procesi, sepse janë institucionet përkatëse që duhet ta përmbyllin këtë proces. Jam i bindur në gatishmërinë e tyre, veçanërisht pas Memorandumit të Bashkëpunimit që kemi nënshkruar me Ministrinë e Drejtësisë dhe njëkohësisht do ta ndjekim procesin hap pas hapi, pasi, siç thashë, interesi i Bashkisë nuk përfundon me dërgimin e dosjeve, por përfundon me regjistrimin e çdo objekti që ne çojmë me leje shfrytëzimi, të plotësuar në Bashki.
Në cilat zona janë 3000 apartamente që do të çoni në Hipotekë dhe ju thatë se deri në fund të vitit përmbyllet faza e dytë, po për fazën e tretë ka ndonjë afat?
Objektet janë të shtrira në të gjithë territorin e Tiranës. Nuk ndahen sipas territorit, ndahen sipas problematikës. Për të tria fazat, objektet janë të shtrira në të gjithë territorin e Tiranës. Për fazën e dytë, siç thashë, puna tashmë është në proces dhe unë besoj se me përkushtimin e stafit ne do ta çojmë atë në përfundim, deri në fund të vitit. Natyrisht Këshillit Bashkiak do t’i parashtrohet në mbledhjen e datës 10 nëntor një kërkesë nga Bashkia për të miratuar modalitetet në këtë drejtim dhe kjo do i hapë rrugë edhe përfundimit të procesit nga ana ligjore. Përfundimi nga ana teknike është çështje volumesh, çështje përkushtimi. Departamentet përkatëse të Urbanistikës, Zhvillimit të Territorit, siç mund ta merrni me mend, janë të angazhuar në një formë të gjerë, që fillon nga Plani Urbanistik, sistemimi i sheshit ‘Skënderbej’, përgatitjen e projekteve për financim në vitin 2012, por natyrisht me përkushtimin që i ka karakterizuar deri tani, jam i bindur se do ta përballojnë edhe volumin teknik për këtë fazë. Faza e tretë, që është edhe faza më komplekse, ka të bëjë me marrjen nga Bashkia të një roli proaktiv, për të përmbushur një vakum që është krijuar nga mungesa fizike apo juridike e zhvilluesve, ndërtuesve, të cilët ose kanë falimentuar, ose nuk ekzistojnë fizikisht, ose nuk pranojnë të përgatisin sipas ligjit dokumentacionin për kolaudimin e objektit dhe për të hapur rrugën drejt regjistrimit. Edhe këtu ne do të veprojmë duke mbyllur atë vakum që ekziston, duke marrë përgjegjësitë që do i takojnë zhvilluesit në fazën e aplikimit, natyrisht duke lënë kolaudatorët, sipas ligjit, që të bëjnë punën e tyre. Ndaj kjo fazë është më komplekse, kërkon dedikim shumë të madh resursesh njerëzore, të cilët po shikojmë mundësinë për t’i marrë me kontratë, apo duke angazhuar, institucione të tjera që kanë përvojë në këtë fushë dhe besoj se kjo fazë do të jetë në qendër të vëmendjes së drejtorive përkatëse të Bashkisë, duke filluar që nga janari apo shkurti i vitit që vjen. Një gjë është e sigurt, asnjë objekt nuk do të mbetet pa leje shfrytëzimi, hipotekimi pastaj jam i bindur se do të përfundojë aty ku e kemi nisur.