E Shtunë, 31 Tetor 2026

KASH e Konfindustria: Të shtyhet amnistia

 Kreu i KASH-it, Enver Ferizaj dhe ai i Konfindustrisë Shqiptare, Hajredin Fratari, në një deklaratë për shtyp, kanë shprehur qëndrimin e përbashkët të bizneseve që përfaqësojnë, duke kërkuar shtyrjen me 6 muaj të afatit të zbatimit të amnistisë fiskale dhe legalizimit të aseteve.

“Mungesa e informacionit dhe interesi në rritje i biznesit për të përfituar nga kjo procedurë në afatet e fundit të amnistisë, na shtyn të kërkojmë zgjatjen e këtij procesi", citon Ferizaj. Nga ana e tij, Fratari në këndvështrimin e një biznesmeni që operon në sektorin e ndërtimit, shprehet se "po ndjek situatën me kujdes, duke analizuar çdo zhvillim mbi ecurinë e legalizimit të aseteve pranë zyrave të regjistrimit, ku vërehet një rekord kërkesash".

Në këtë kontekst, thekson ai, i propozojmë Ministrisë së Financave të shtyjë afatin e procesit të amnistisë fiskale. Ligji për amnistinë fiskale ka hyrë në fuqi në maj të këtij viti dhe përfundon në 31 dhjetor 2011.

Deri në fund të muajit tetor, komisionet e ngritura pranë drejtorive tatimore rajonale kanë dhënë faljen për rreth 45 mijë biznese, me një detyrim total prej afro 4 miliardë lekësh. Më mirë ka ecur administrata doganore, e cila ka amnistuar rreth 12 miliardë lekë, nga të cilat kanë përfituar 1500 biznese./Start/

                                                                                             2011-12-16 15:13
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›