Mandat 2-vjeçar për drejtuesit e universiteteve
Kuvendi miraton ndryshimet në ligj, Leskaj: Po përdorni sistemin për emra të veçantë
Drejtuesit e universiteteve publike do të kenë të drejtë të zgjidhen për dy mandate radhazi. Parlamenti ka miratuar në seancën e djeshme plenare ndryshimet në ligjin e Arsimit të Lartë, për kohëzgjatjen e mandatit për organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë dhe zgjedhjen e shefave të shërbimeve në QSUT. Sipas ligjit të vitit 2010, organet dhe autoritetet drejtuese në universitetet publike zgjidheshin për një mandat 4-vjeçar, dhe nuk mund të rizgjidheshin për dy mandate radhazi në të njëjtin funksion. Por, me kërkesë të drejtuesve të universiteteve, Ministria e Arsimit pranoi të bënte këtë ndryshim në ligj, duke u hapur kështu rrugën e kandidimit mjaft emrave të njohur në botën akademike që drejtojnë universitetet dhe fakultetet, për të hyrë në garën e zgjedhjeve të organeve drejtuese. Por këto ndryshime nuk kanë kaluar pa kritika nga deputetët e majtë, megjithëse më herët ishin propozuar prej tyre, po nuk ishin miratuar. Në emër të grupit të PS-së, deputetja socialiste, Valentina Leskaj tha në Kuvend se ndryshimet në ligj bëhen për disa emra, që çojnë studentët të mbushin sheshet e sallat e mitingjeve, që përdorin edhe auditorët në shërbim të fushatës etj. “Për ne, problemi nuk është me mandatet e të zgjedhurve apo me çështjen e shefave të shërbimeve në sistemin spitalor universitar. Ne kemi kërkuar që drejtuesit në sistemin e arsimit të lartë të kenë dy mandate, kur kjo u refuzua prerazi nga ju, ashtu siç u refuzuan edhe propozimet tona që lidheshin me shërbimin spitalor universitar. Në fakt, problemi ynë nis me atë që njëri nga ju e tha këtu: ‘Do axhustojmë ligjin’. Ai ka të drejtë, ju po axhustoni ligjin për ca emra. Dhe ky ‘axhustim’ që bëni sot nuk është rasti i vetëm. Dua të kujtoj se ligji për arsimin e lartë ka pasur të njëjtin fat që kanë shumë ligje të tjera për shkak të ndryshimeve të shpeshta”, - deklaroi Leskaj. Më tej ajo ka folur edhe për reformën financiare në arsimin e lartë, duke bërë të ditur se opozita do ta mbështesë projektin vetëm nëse ai paraqitet në formën e një pakete që zgjidh problemin e autonomisë universitare dhe një sërë problemesh të tjera që përballon arsimi i lartë publik. “Nëse ju intereson realisht arsimi, zgjidhni problemin e autonomisë financiare, që dekanët nuk vendosin dot as për të blerë një fshesë”, - tha deputetja e PS-së. Sipas saj, autonomia e universiteteve është sot e cenuar në të dyja nivelet: në raportet qeveri-institucione të arsimit të lartë (kompetencat grumbullohen te ministri) dhe në nivelin: rektor-dekan-apo shef departamenti. Këta të fundit, u shpreh Leskaj s’kanë asgjë në dorë dhe kjo i lë universitetet publike mbrapa në raport me privatët.