E Shtunë, 31 Tetor 2026

KD: Katër emra për president

Nga Express më 01 shkurt 2011 në ora 10:31

Lideri i partisë fituese të zgjedhjeve, Hashim Thaçi, ka para vetes së paku 4 emra për president, të cilët thuhet se e kanë mbështetjen edhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Koha Ditore shkruan sot, duke u mbështetur në “burime të besueshme ndërkombëtare”, se Thaçi, me gjithë mbështetjen ndërkombëtare që gëzon, e ka të qartë se pozicioni i tij është dobësuar dhe se duhet një qeverisje sa më e gjerë që të jetë e mundshme në Kosovë.

Opsioni i parë për president të Kosovës përmendet të jetë Edita Tahiri. “Zgjedhja e saj do të ishte një zgjidhje e mirë në këtë moment jo të lehtë për Kosovën”, tha një burim anonim ndërkombëtar.

Emri i Edita Tahirit tashmë është lakuar si mundësi për të parën presidente femër të Kosovës. Preferenca për një presidente femër tashmë kanë shprehur hapur edhe zyrtarë ndërkombëtarë, para së gjithash kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith.

Opsioni tjetër është një që po ashtu është përmendur – nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, për të cilin variant është raportuar se tani ka hezitime brenda vetë partisë së tij, AAK-së.

Ndërsa opsioni i tretë është që simbol i unitetit të Kosovës dhe gardian i Kushtetutës së Republikës të jetë kryetari i tanishëm i socialdemokratëve të Kosovës, ish-kryeministër dhe ish-komandant i UÇK-së dhe TMK-së, Agim Çeku.

Një tjetër emër që sipas Kohës Ditore vazhdon të lakohet edhe pas këtyre zgjedhjeve, sikurse gjithmonë pas zgjedhjeve, këtë radhë për të qenë president i ardhshëm i Kosovës është ai i Veton Surroit, tani kryetar i Klubit për Politikë të Jashtme.

Sipas burimeve ndërkombëtare, Surroi do të ishte president në rastin e krijimit të një koalicioni gjithëpërfshirës, ndërsa një tjetër mundësi për angazhimin e tij është që ai të jetë “i ngarkuari i posaçëm“ i Kosovës për dialog me Serbinë.

Sidoqoftë, burimet thonë se gjithçka tani varet nga mënyra sesi do të arrihet koalicioni qeverisës dhe kush do të përfundojë si pjesë e Qeverisë së ardhshme e kush do të mbetet në opozitë.

Por, siç theksojnë burimet, gjithçka do të varet nga formati i koalicionit të ardhshëm qeverisës. Sa më shumë që kalon koha, presioni në PDK-në dhe në Thaçin shtohet, ndërsa rezultatet e shpallura vetëm sa ia vështirësojnë atij pozicionin, marrë parasysh se shumica prej 61 deputetësh, e nevojshme për krijim të Qeverisë, mund të arrihet edhe pa PDK-në dhe pa votat e minoritarëve.

Ndërkohë, burimet theksojnë se ditët e fundit mesazhet nga AAK-ja janë konsistente se hyrja në koalicion me PDK-në mund të bëhet vetëm nëse pjesë e Qeverisë do të jetë edhe LDK-ja, dhe me kushtin që kreun e Qeverisë të mos e ketë Thaçi.
Po ashtu, pozicioni i LDK-së kundër hyrjes në koalicion me PDK-në nuk është më aq i prerë, por se edhe ai është në vijat e njëjta me atë të AAK-së: “Me PDK-në po, por pa Thaçin kryeministër“.

Ajo që shumica e burimeve ndërkombëtare e pohojnë si opsion të pamundshëm është që Behgjet Pacolli të jetë president i Kosovës. “Ky opsion është tërësisht i papranueshëm dhe Hashim Thaçi e di këtë. Pacolli nuk mund të bëhet president i Kosovës në rrethanat e caktuara, përveç nëse Kosova dëshiron të prishë seriozisht raportet me miqtë kryesorë të saj ndërkombëtarë“, kanë thënë burimet ndërkombëtare pa dashur të sqarojnë se cilat janë arsyet e tyre për konstatime të tilla.

Ndërkohë, vetë Pacolli publikisht insiston se partia e tij, AKR, mund të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës vetëm nëse ai e merr postin e presidentit, përndryshe AKR-ja do të mbetet në opozitë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›