PDK vendos kush presidentin, kush kryeministrin
Zëvendëskryeministri në largim, Hajredin Kuçi, është shprehur se partitë që mund të pritet të ftohen për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës, duan “dikush president, dikush kryeministër", por çfarë do t’i mbetej atëherë partisë fituese të këtyre zgjedhjeve?.
Në një intervistë për RTK-në, Kuçi ka thënë se PDK-ja do të jetë partia që do të formojë qeverinë. Kjo parti tashmë ka nominuar për kryeministër Hashim Thaçin dhe strukturat udhëheqëse të saj nuk kanë lëvizur nga ky përcaktim. Ai ka thënë se po presin certifikimin e zgjedhjeve për t’u hyrë negociatave për koalicion me partitë e tjera.
“Për PDK-në nuk është kurrfarë problemi të këtë një shumicë rreth vetes - 61 a 75 deputetë, prandaj askush mos të llogarisë se mund ta shantazhojë me kërkesa joreale për krijimin e qeverisë së ardhshme”.
Lidhur me kërkesat e ndërkombëtarëve për një “qeveri me duar të pastra”, ai ka thënë se PDK-ja është në kontakt të vazhdueshëm me miqtë ndërkombëtarë dhe se nuk ka arsye as interes madhor që të krijojë kundërshtarë. Sipas tij, drejtësia e ligji janë mbi të gjitha, duke e lënë të kuptohet se vetëm vendimet gjyqësore janë vendimtare.