E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët e vdekjes

Vetëm gjatë muajit janar, numri i aksidenteve në trafik ka shkuar në 1460, prej të cilave 5 me fatalitet. Çdo natë në Qendrën Emergjente kërkojnë ndihmë rreth 16 persona. Sipas statistikave të vitit 2010, në QKUK kanë kërkuar ndihmë 3800 raste të aksidentuarish, derisa 26 kanë prej tyre kanë vdekur. Nga Express më 01 shkurt 2011 në ora 10:20

Në çdo raport ditor të policisë, shpesh edhe në lajmet ditore, qofshin ato media të shkruara apo televizive, raportohen të kenë ndodhur një apo më shumë aksidente në trafik. Numri i tyre çdo ditë vjen duke u shtuar. Vetëm në muajin janar të këtij viti, numri i tyre ka arritur në 1406.

Sabrie Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, thotë se kjo shifër e aksidenteve është shënuar vetëm gjatë muajit janar.

Sipas saj, Policia e Kosovës bën patrullimin jo vetëm nga njësitet patrulluese, por edhe njësitë e trafikut janë në rrugë duke bërë patrullimin ditor.

Kjo, sipas Kamberit, bëhet në mënyrë që të shmangen aksidentet, sepse ajo thotë se vetëm një humbje e një jete është shumë shqetësuese për policinë dhe gjithë qytetarët e Kosovës. “Sepse nga gjithsej 1406 aksidente sa janë shënuar, deri tani janë raportuar 5 aksidente me fatalitet”, ka thënë Kamberi.

Duke marrë parasysh numrin e madh të rasteve të aksidentuara, zëdhënësja Kamberi thotë se policia është marrë intensivisht me fushata vetëdijesuese.

”Kemi bërë edhe fushata të ndryshme të përkrahura nga organizata ndërkombëtare, në mënyrë që të ngremë vetëdijen e ngasësve të automjeteve dhe, në përgjithësi, të gjithë pjesëmarrësve në trafik”, tregon Kamberi, sipas të cilës gjatë kësaj fushate policia ka bërë apele të vazhdueshme te ngasësit që t’i kenë pajisjet e tyre me vete në sezonet e caktuara dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike dhe rrugore.

E përveç Policisë së Kosovës, shqetësim të madh për lëndimet përgjatë aksidenteve në trafik kanë edhe zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente, shprehet i shqetësuar për numrin e personave që kërkojnë ndihmë në këtë qendër.

“Çdo natë këtë qendër frekuentojnë rreth 16 persona të aksidentuar në trafik”, sqaron Lenjani i cili, përveç shqetësimit, ka edhe një apel për policinë.

Ai kërkon nga institucionet relevante që të merren me këtë çështje më seriozisht, duke e marrë parasysh numrin shumë të madh të vdekjeve të personave nga aksidentet në komunikacion. ”Shpresojmë që të mos përsëritet fati i vitit të kaluar, duke e marrë parasysh që numri i të vdekurve ka qenë shumë i madh në aksidentet rrugore dhe ky mund të llogaritet si një shqetësim për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lenjani, sipas të cilit numri i të lënduarve është në rritje e sipër çdo ditë.

Ai gjithashtu shpjegon se numri i raportuar i të vdekurve në aksidente nuk është real sepse, siç thotë ai, gjendja në terren qëndron ndryshe.”Numri i të vdekurve në aksidentet rrugore, sipas disa informacioneve që ne i kemi, ka arritur mbi 500 persona dhe ky mund të llogaritet si një shqetësim për qytetarët e Kosovës”, pohon Lenjani, sipas të cilit vetëm gjatë vitit 2010, në Qendrën Emergjente kanë kërkuar ndihmë 3800 raste të aksidentuarish, derisa 26 kanë prej tyre kanë vdekur vetëm në këtë qendër.(rfe)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›