E Shtunë, 31 Tetor 2026

KDI: Institucionet, neglizhente ndaj korrupsionit

Prishtinë -Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përkatësisht Qendra për Avokim dhe Këshilla Ligjore (QAKL), që funksionon në kuadër të këtij instituti në partneritet me Transparency International, ka reaguar ndaj neglizhencës së institucioneve për ta plotësuar infrastrukturën ligjore që lufton korrupsionin.

Kjo qendër - në një konferencë për media të mbajtur të enjten - ka vlerësuar se deri më tani, lufta kundër korrupsionit ka qenë më shumë deklarative.

Merita Mustafa, menaxhere e programit “Transparenca dhe Antikorrupsioni”, ka thënë se një shqetësim mjaft serioz është mungesa e vullnetit për ta ndërtuar infrastrukturën e duhur ligjore që lufton korrupsionin, ku mungojnë ligjet bazike që ndihmojnë luftimin e korrupsionit.

“Deri më tani, mungon Ligji për Financimin e Partive Politike, Ligji për Konfiskimin e Pasurisë, Strategjia anti-korrupsion është miratuar nga Qeveria pa u marrë parasysh rekomandimet e Këshillit Evropian dhe të shoqërisë civile. Qeveria ka miratuar Ligjin për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë, por në ligj mungon elementi thelbësor i transparencës - mos-bërja publike e pasurisë së zyrtarëve”, ka thënë Mustafa.

Vërejtjet e ekspertëve të Këshillit të Evropës – sipas saj – kanë treguar se strategjia nuk ka përshkruar aktivitete specifike dhe se nuk ka pasur lidhje të qartë në mes të strategjisë anti-korrupsion dhe planit të veprimit.

Kjo qendër ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të intensifikojë përpjekjet në bërjen e ligjeve themelore që luftojnë korrupsionin – dhe ka rekomanduar ndërmarrjen e masave konkrete nga institucionet përgjegjëse: Nxjerrjen sa më të shpejt e Ligjit për Financimin e Partive Politike; përfshirjen e rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe instancave tjera ndërkombëtare në Ligjin për Financimin e Partive Politike; në strategjinë anti-korrupsion, të vendosen objektivat dhe prioritetet e qarta për politikat kundër-korrupsion; paraprakisht të bëhet vlerësimi i situatës - studim i mirëfilltë; Të bëhen publike pasuritë e personave publik. /telegrafi/start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›