E Shtunë, 31 Tetor 2026

KDI: Më aktivi, Sabri Hamiti, më pasivi, Azem Syla

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin gjashtëmujor të punës së Kuvendit të Kosovës për periudhën korrik-dhjetor 2011, në të cilin si problem kryesor ka dal integriteti i Kuvendit të Kosovës nga ndërhyrja e Qeverisë së Kosovës. Për të njëjtën periudhë, në bazë të fletënotimit, deputeti më aktiv ka dal të ketë qenë Sabri Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa ai më pasivi, Azem Syla nga Partia Demokratike e Kosovës.

Isuf Zejna, analist në Institutin Demokratik të Kosovës, gjatë një konference që është mbajtur të mërkurën, ka thënë se problemi kryesor edhe në këtë gjashtëmujor ka qenë sfidimi i integritetit të Kuvendit të Kosovës nga ana e ekzekutivit të vendit.

“Problem kryesor, sipas nesh, edhe në këtë gjashtë mujor të punës, mbetet sfidimi i integritetit të Kuvendit të Kosovës që po i bëhet në vazhdimësi. Rasti më i freskët është rasti me mocionin e kuvendit për reciprocitetin me Serbinë. Interpretimi i këtij mocioni prej Qeverisë së Kosovës dhe prej përfaqësuesve ndërkombëtar në Kosovë ne konsiderojmë se është i padrejtë se Kuvendi i Kosovës në asnjë rast nuk mund të konsiderohet si organ këshillëdhënës i Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Zejna.

Sipas tij, rendi kushtetues në Kosovë, por edhe Kushtetuta e Kosovës e përcaktojnë kuvendin si organin më të lartë përfaqësues, andaj vendimet e kuvendit duhet të jenë detyruese për të gjitha pushtetet e tjera.

Zejna ka shtuar se regresi më i madh në punën e Kuvendit ka të bëjë në çështjen e transparencës, përkatësisht në rregullimin e punës së mediave në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se kjo rregullore është pezulluar. KDI konsideron se kjo paraqet pengesë në punën e gazetarëve, njëherit i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të rihartoj një rregullore të re e cila siguron qasje të drejt për gazetarët.

Më pas, Zejna ka publikuar rezultatet e fletënotimit për performancën e deputetëve gjatë seancave të Kuvendit të Kosovës.

“Në këtë gjashtëmujor deputeti më aktiv është deputeti Sabri Hamiti i pasuar nga deputeti Ardian Gjini, Visar Ymeri, Bekim Haxhiu dhe Ardian Zemaj. Deputeti më pasiv përkundër që Fatmir Limaj ka probleme me drejtësinë dhe nuk merr pjesë në seanca plenare, megjithatë ne e kemi përfshirë në këtë notim. Deputeti më pasiv edhe këtë gjashtëmujor vazhdon të jetë deputeti Azem Syla, i përcjell nga Rada Trajkoviq, Ramiz Kelmendi, Daut Haradinaj dhe Ukë Rugova”, ka thënë ai.

Zejna ka shtuar se fletënotimet janë matje kuantitative e matjes së punës së deputetëve, duke rezultuar me një debat kualitativ në seancat plenare. Sipas tij, e metë e vetme e fletënotimit është se nuk mund të matet performanca e deputetëve në Komisione parlamentare, pasi që kuvendi nuk siguron transkripte për mbledhjet e komisioneve dhe e bënë të pamundur vlerësimin e punës së tyre.

Fletënotimi i ka 10 shtylla, përderisa një prej shtyllave ka të bëjë me mungesës e deputetit në seancë plenare, e cila i minuson pikët e deputetit.

I pyetur për situatat kur mungojnë deputetët, e pezullohen edhe mëditjet për ta, Zejna ka thënë se kjo çështje nuk është e rregulluar mirë, por ka shtuar se në bazë të informatave të KDI-së, ato mëditje nuk ju hiqen asnjëherë.

Lidhur me deklarimet se krijimi i Komisioneve për ndryshimet kushtetuese dhe për reformën zgjedhore janë antikushtetuese, Zejna ka thënë se gjithë procesi qysh prej marrëveshjes së tre liderëve ka krijuar dyshime në aspektin kushtetues. Mirëpo, sipas tij, ky proces e ka marr bekimin e Kuvendit të Kosovës dhe si i tillë duhet të përfundon.

Gjatë gjashtëmujori të fundit të vitit 2011, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur 24 seanca plenare, prej të cilave dy të jashtëzakonshme, dy solemne dhe 20 të rregullta, seanca pune. Po ashtu ka mbajtur dy interpelanca, në të parën është ftuar kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa në të dytën ministrja Kusari-Lila.

Për të njëjtën periudhë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në të dy leximet 65 projektligje ose 44 %, ka miratuar në leximin e parë 22 projektligje ose 15 %, projektligje të cilat kanë mbetur në procedurë, ndërsa nuk i ka trajtuar fare 61% të parapara në planin e punës. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›