E Shtunë, 31 Tetor 2026

KDI: Çështja e imunitetit është e qartë

Nga Express më 14 korrik 2011 në ora 16:19

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me imunitetin e deputetëve të Kuvendit Kosovës.

KDI konsideron se ngjarjet e krijuara ditëve të fundit në Kosovë, që lidhen me çështjen e imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka krijuar një situatë krejtësisht të panevojshme si dhe ka krijuar huti në mbarë opinionin kosovar.

KDI vlerëson se baza kushtetuese dhe ligjore në Kosovë, që lidhet me imunitetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është mjaft e qartë dhe ofron zgjidhje për situatën e krijuar.

E para: Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar qartë të drejtën e autoriteteve si: Presidenti, Qeveria, Kuvendi i Kosovës , që të referojnë çështje për interpretim pranë Gjykatës Kushtetuese. (Neni 84 pika 9, Neni 93 pika 10, Neni 113 pika 3.1

E dyta: Kushtetuta e Kosovës (Neni 75 pika 1) dhe Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësit e Deputetit (Neni 9 pika 1) ka përcaktuar se në cilat raste deputeti gëzon imunitet nga ndjekja penale dhe në cilat raste nuk gëzon imunitet.

E treta: Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësit e Deputetit (Neni 9 pika 3) dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës ( Neni 22 pika 7 dhe Neni 23 pika 1,2, 3,4,5,6,dhe 7) përcakton se cilat janë procedurat që duhet aplikuar për heqjen e imunitetit të Deputetit.

KDI po ashtu vlerëson se në asnjë rrethanë institucioni i imunitetit nuk mund të shërbejë si një mburojë ndaj të gjithë zyrtarëve të zgjedhur të cilët mund të ndiqen penalisht për çështjet të cilat nuk kanë të bëjnë me fushë-veprimtarinë e pozitës së tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›