E Shtunë, 31 Tetor 2026

KDTP-ja akuzon kryetarin e Mamushës për qeverisje të dobët dhe përçarje

Dega e Partisë Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka vlerësuar negativisht punën e bërë nga ekzekutivi komunal i Mamushës, duke vlerësuar se investimet kanë rënë në pikën zero, njëjtë sikurse edhe zhvillimi lokal. Ky subjekt politik ka kritikuar vendimmarrjen e lidershipit komunal, ndërkohë që kryetarin e Komunës, Arif Butuc, e ka akuzuar për përçarje të komunitetit.

"Për fat të keq në kohët e fundit në Mamushë nuk është bërë asnjë hap pozitiv. Ky është faji i lidershipit komunal...Kryetari i Komunës nuk merr pjesë në seancat e KK-së dhe përdor veturën zyrtare për punë private dhe për shkak të këtyre politikave të gabuara po krijohen përçarje në mesin e popullatës dhe investimet kanë rënë në zero euro", thuhet në komunikatën e degës së KDTP-së të nënshkruar nga Rifat Krasnic. Aty është theksuar se këto çështje disa herë janë ngritur në seancat e KK-së, që vazhdojnë të injorohen nga kryetari i Komunës, Arif Butuc.

"Kryetari i Komunës është i zënë me krijimin e një partie tjetër, për të përçarë popullatën, derisa Komunën e ka bërë jofunksionale", ka akuzuar dega e KDTP-së. Përmes komunikatës është kritikuar edhe gjendja në arsim dhe në bujqësi, dhe është përkujtuar se krijimi i Komunës së Mamushës është arritur si pasojë e angazhimeve të popullatës dhe KDTP-së, përkundër përpjekjeve për uzurpimin e meritave në këtë drejtim.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mamushës përmes një komunikate tjetër ka reaguar ndaj akuzave të KDTP-së, duke i cilësuar ato si të paqëndrueshme. Butuc ka bërë të ditur se komuna e Mamushës katër herë është shpallur fituese e granteve të stimulimit për shkak të punës së mirë në dikastere të ndryshme respektivisht ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Madje ai ka theksuar se Mamusha është model për qeverisje të mirë në nivel të Kosovës.

"Ne nuk kemi dhënë premtime për punët që do t'i bëjmë për Mamushën, por e kemi dhënë fjalën e nderit që t'i shërbejmë Mamushës dhe sot shumë qartë shihen investimet e bëra, shërbimet e ofruara, që vërtetojnë se në fjalën e dhënë e kemi mbajtur dhe me këtë qetësi po ecim drejt ofrimit edhe të shumë shërbimeve tjera në të ardhmen", thuhet në reagimin e kryetarit Butuc, ku janë listuar edhe projektet e realizuara gjatë vitit të kaluar.

Ai ka kundërshtuar pohimet për mospjesëmarrje në seancat e KK-së, duke pohuar se dëshmi janë audio-incizimet, derisa për përdorimin e veturës zyrtare ka thënë se e bën në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në të njëjtën kohë ka theksuar se ai nuk është njeriu që po krijon përçarje,porse këtë po e bëjnë struktura të caktuara të KDTP-së, të cilat në vend të pranimit të garës politike po merren me sajimin e akuzave të pabaza./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›