E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet bashkëpunimi Kosovë - Shqipëri

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Panariti ka nënshkruar Protokollin e Bashkëpunimit Ndërqeveritar mes dy vendeve.

Ky protokoll është dokumenti më i plotë e gjithëpërfshirës në marrëdhëniet dypalëshe, i cili konsiderohet plan zhvillimor për t’i bërë më komplementare të gjithë sektorët e bashkëpunimit, me synim krijimin e një tregu më të gjerë në rajon.

Ministri Hoxhaj e ka vlerësuar lartë nënshkrimin e Kosovës duke potencuar bashkëpunimin rajonal mes Kosovës dhe Shqipërisë si shembull për rajonin.

“Protokolli i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri është vazhdimësi e Memorandumit të qershorit të vitit 2008 midis kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Sali Berisha. Ky është një hap që përshpejton dhe orienton bashkëpunimin e mëtejmë Kosovë-Shqipëri, si dhe hap perspektiva edhe për një bashkëpunim më të gjerë rajonal”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm Panariti ka pohuar se nënshkrimi i protokollit përshpejton nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera dy palëshe.

“Njëkohësisht me mekanizmat e tij operatore do t’i japë zgjidhje të shpejtë dhe efikase problemeve që lindin në marrëdhëniet mes dy vendeve”, ka thënë Panariti.

Gjatë vizitës në Tiranë, Hoxhaj ka theksuar rolin e fuqishëm të Shqipërisë lidhur me zhvillimet në Luginën e Preshevës. Ai gjatë kësaj vizite do të takohet edhe me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›