Kritikohet vendimi i Qeverisë për hapjen e tri universiteteve

Partia Nacional-Demokratike Shqiptare (PNDSH) e vlerëson si djallëzi të Qeverisë vendimin për hapjen edhe të tri universiteteve: në Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë.
“Kjo qasje e vazhdueshme e Qeverisë është një përpjekje e menduar me djallëzi, për ta korruptuar elektoratin nëpër komuna të caktuara dhe për ta korruptuar një pjesë të inteligjencies që ka mbetur keq dhe të cilën ajo dëshiron ta rekrutojë në radhët e veta dhe ta kontrollojë më lehtë”, ka thënë në një konferencë shtypi kryetari i këtij subjekti politik, Bujar Abdullahu.
Atribut tjetër që ky subjekt i ka dhënë vendimit të Qeverisë për hapjen e tri universiteteve është edhe atentati ndaj arsimit.
“Këtë projekt PNDSH-ja e konsideron atentat arsimor dhe kulturor kundër cilësisë akademike në universitetet dhe kolegjet tona. Ky është një veprim popullit, majtist i një qeverie që udhëhiqet nga një parti që mëton dhe lakmon të jetë e djathtë”, ka thënë Avdullahu, raporton Koha Ditore.
Ky subjekt jashtëparlamentar konsideron se në një vend, sa është Kosova, dhe me numër të popullsisë që ka ajo, është më pragmatike dhe më e mirë që studenti të shkojë tek universiteti dhe jo e kundërta.
“Në të kundërtën, dekompozohet akumulimi akademik, i cili duke qenë i shpërndarë humb nga cilësia dhe nuk mund të ofrojë atë që u duhet studentëve”, ka theksuar Abdullahu.
Vendimi për themelimin e tri universiteteve të reja në Kosovë është marrë nga Qeveria javën e kaluar.
Kryetari i PNDSH-së ka folur edhe për kërkesën e Turqisë për rishikimin e librave parauniversitarë të historisë.
“Konsiderojmë se kërkesa dhe sugjerimi i ardhur nga Turqia, nëse merret në shqyrtim, nëse eventualisht plotësohen apo ndryshohen tekstet shkollore të historisë në Kosovë, ato duhet të bëhen vetëm në bashkëpunim të ngushtë me kuadrot shkencore dhe me intelektualët nga Shqipëria, si dhe në bashkëpunim integral me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë”, ka thënë Abdullahu.
Në këtë kuptim ai ka thënë se si subjekt nuk duan të kenë qasje dualiste në vlerësime të periudhës osmane në tokat shqiptare - ndryshe në Shqipëri e ndryshe në Kosovë. Kjo, sipas tij, do të kishte efekte çintegruese jo vetëm në arsim e kulturë.
Këtë propozim e ka vlerësuar të drejtë edhe kryetari i Komisionit të themeluar për këtë çështje nga Ministria e Arsimit e Kosovës, Shkëlzen Raça, në të cilën janë përfshirë historianë, gjuhëtarë e gjeografë. “Gjithsesi, çdo rishikim në këtë plan duhet të harmonizohet edhe me shtetin shqiptar”, ka thënë të enjten ai./Indeksonline/