E Diel, 1 Nëntor 2026

KE, 1 miliard euro kredi për infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor



Komisioni Europian dhe institucionet financiare ndërkombëtare kanë rënë dakord të ngrijnë një kornizë për investimet në Ballkanin Perëndimor. Kjo kornizë do të sigurojë një grand të përbashkët dhe lehtësi në kredi për projektet prioritare në rajon. Në Konferencën e Donatorëve në Londër është rënë dakord për një shumë prej 1 miliardë euro, e cila do të jepet në formën e kredisë për projekte në Ballkanin Perëndimor, që do të plotësojnë kushtet e nevojshme. Institucionet e përfshira në këtë projekt janë KE, Banka Europiane e Investimeve, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Këshilli i Bankës Europiane për Zhvillim. Vendet ku projektet prioritare do të kenë të drejtë të aplikojnë për financim janë Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Maqedonia dhe Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova. “Objektivi është të bashkojmë dhe koordinojmë burimet e ndryshme të financimeve dhe kredive me grande për projekte që përfaqësojnë një prioritet për përfituesit e Ballkanit Perëndimor”- ka deklaruar Komisioni Europian. Investimet do të bëhet kryesisht në infrastrukturë, ndërmarrje të vogla dhe në rritjen e efikasitetit të energjisë në Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Kusht vendimtar për të marrë kredi nga këto vende, do të jetë përgatitje të mirë dhe një kuadër i fortë i zbatimit të projekteve. Marrëveshja “WBIF” do të nënshkruhet në javët e ardhshme dhe fondi do të menaxhohet nga BEI dhe BERZH-i.

Raporti: Tirana, një treg i mirë për zyra me qira

Një studim i agjencive ndërkombëtare të menaxhimit të pronave të paluajtshme ka dalë në konkluzionin se Tirana është një nga kryeqytetet më të mira në botë për dhënien e ambienteve me qira për zyra, për shkak se 98 për qind e hapësirave të disponueshme nëpër qendrat tregtare janë dhënë sakaq me qira dhe vetëm 2 për qind janë të disponueshme. Tirana zë vendin e katërt në këtë drejtim pas Rio de Zhanerios dhe dy qyteteve kanadeze. Megjithatë, kompania që kreu studimin paralajmëron se vlerësimi i saj mund të mbajë një normë të lartë gabimi, për shkak se shumë ambiente të dhëna me qira për zyra nuk deklarohen fare si të tilla, ndërsa kontratat mbahen shumë të fshehta. Për më tepër, paralajmërohet se shumë qendra biznesi janë në ndërtim e sipër në Tiranë, aktualisht dhe sipas ekspertëve, sipërfaqja e disponueshme për zyra do të rritet më shpejt se sa kërkesa për ambiente të tilla, gjë që do të krijojë presion për uljen e çmimeve. "Para vitit 2000, nuk kishte fare ambiente të përshtatshme për zyra të klasit të parë në Tiranë, por pas kësaj, oferta është rritur dhe kërkesa është rritur gjithashtu",- thonë ekspertët. Duke shtuar edhe disa projekte të rëndësishme që po zbatohen aktualisht, oferta për ambiente zyrash pritet të rritet më shumë se sa kërkesa. Brenda dy viteve të ardhshme, parashikohet që në Tiranë të hyjnë në treg rreth 31 mijë metra katrorë ambiente të përshtatshme për zyra. Aktualisht qiraja e ambienteve për zyra nëpër qendrat tregtare varion nga 12 në 23 euro për metër katror.

Ferdinant Murati emërohet si drejtori i ri i kompanisë “ALBPETROL”

Shkarkohet drejtori i Përgjithshëm i “ALBPTROL”-it. Ylli Gjoni, është larguar nga kjo detyrë dhe në vend të tij është emëruar drejtori i Ferdinant Murati. Një nga detyrat kryesore për drejtorin e ri është përgatitja për privatizim të kësaj ndërmarrje. Kompania publike e nxjerrjes së naftës “ALBPETROL” do të hyjë në procesin e privatizimit dhe në krye të 8 muajve do të jetë gati për pronarët e rinj. Lajmin e ka dhënë dy ditë më parë Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, gjatë një konference për shtyp. Sipas ministrit Prifti, “grupi i punës i ngritur do të përcaktojë formën e privatizimit të kësaj kompanie si dhe termat e referencës dhe kushtet për privatizimin e saj". Ai nuk përjashtoi as pjesëmarrjen e kompanive shqiptare në këtë proces, nëse ato plotësojnë kushtet dhe termat e referencës. Më tej Prifti tha se do të përzgjidhet një konsulent ndërkombëtar që do të këshillojë qeverinë për mënyrën e privatizimit, ndryshimet ligjore dhe rregullatore që duhen bërë në këtë proces, por edhe për termat e referencës për të hapur pastaj tenderin për privatizimin e “ALBPETROL”-it. Aktualisht kompania zotëron 20 për qind të puseve të naftës në vend. Kjo gjë do të bëjë që qeveria të vlerësojë mirë vlerën që ka kjo kompani, përpara se të përcaktojë shumën për shitjen totale ose dhënien me koncesion të saj. Kompania “ALBPETROL sh.a.” është shoqëri anonime me 100 për qind të aksioneve të zotëruara nga qeveria shqiptare. I vetmi aksioner është Ministria e Ekonomisë, dhe selia qendrore e kompanisë ndodhet në qytetin e Patosit.

24 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›