Pagat në valutë, taksa speciale kompanive private që nuk paguajnë në lek
Ervin KOÇI
Zhvlerësimi i monedhës tonë kombëtare Lekut kundrejt valutave të huaja dhe kryesisht ndaj euros, ka vënë në lëvizje institucionet qendrore monetare në vend për të ruajtur stabilitetin. Në kuadër të këtyre masave, Tatimet kanë vendosur që të tatojnë me një taksë specifike të gjitha ato kompani private të cilat pagat e punonjësve do ti paguajnë në euro ose dollarë. Kjo gjë është bërë edhe me miratimin e Bankës së Shqipërisë, e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kanë vendosur marrjen e masave për moslejimin e zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës tonë, lekut. Giomela Gjini, drejtore e Drejtorisë Teknike në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve shprehet se “në ligjin ‘Për procedurat tatimore’ është specifikuar që transaksionet të bëhen në para, çka nënkupton lek dhe valutë”. Por në bilancin vjetorë dhe në faturat tatimore, kjo administratë njeh vetëm lekun vendas. Sipas Gjinit, kjo situatë nuk përbën shqetësim për administratën tonë pasi edhe sikur kompania të kryejë të gjithë aktivitetin në valutë në fund të vitit ajo i konverton në lekë dhe më pas llogaritet edhe tatimi. Drejtuesit e tatimeve pohojnë se, njohin si monedhë zyrtare lekun, kur bëhet fjalë për të paguar taksat, ndërsa çmimi është zgjedhje e biznesit. Monedha evropiane po fiton terren çdo ditë e më shumë në tregun vendas, pasi çmimet e shërbimeve kryesore si ndërtimi, arsimi apo dhe blerjet e mallrave të ndryshëm po ofrohen edhe në euro. Në fakt për këtë fenomen nuk ka ligj që të ndalojë këtë tendencë (përdorimin e valutës), në kushtet kur monedha kombëtare është leku dhe për më tepër kur funksionojmë në një ekonomi të lirë tregu.
Ekspertët
Ajo që sugjerohet nga ekspertet, është informacioni që duhet të ketë qytetari për kursin e këmbimit, teksa vihet përballë zgjedhjes për të paguar në lekë apo valutë. Anëtari i Komisionit Parlamentarë të Ekonomisë, Salami Xhepa sqaron se çdo agjent ekonomik përcakton çmimin në varësi të monedhës me të cilën kryhen importin. Që të shmangë rrezikun e kursit të këmbimit për mallrat që i duhet të blejë jashtë vendit ai faturon këtë barrë konsumatorit. Sipas Xhepës, “qytetari i cili është i ekspozuar ndaj këtij risku duhet të jetë i informuar për kursin ditorë”. Megjithatë, sipas tij, në kohët moderne pasiguria është ligj, çka do të thotë nuk ka politika konkrete për ti ofruar qytetarit siguri. Por fakti që shërbimet dhe mallrat në vend po paguhen gjithnjë e më shumë në valutë të huaj, mbart në vetvete një efekt negativ për ekonominë dhe monedhën tonë kombëtare. E gjithë kjo situatë gjeneron një kërkesë të lartë të valutës, e cila automatikisht ndikon në zhvlerësimin e monedhës vendase. I këtij mendimi është eksperti i ekonomisë Zef Preçi.
Sipas tij, “pagesat në euro nuk janë të ligjëruara. I takon Bankës së Shqipërisë që të monitorojë më mirë tregun në mënyrë që këto pagesa të mos cenojnë zhvlerësimin e lekut vendas”.
Rreziku
Kohët e fundit konsumatori shqiptarë po përballet me një monedhë të fortë evropiane e cila ndikon drejtpërsëdrejti në jetesën e tyre. Mjaft të përmendim faktin që 70 për qind e kredisë që kanë marrë shqiptarët e kanë marrë në euro, ndaj çdo luhatje e saj ndikon në të ardhurat e tyre mujore. Në këtë situatë ekspertet argumentojnë se shmangja e këtij risku mbetet “eurozimi” i ekonomisë. Por kjo masë mbetet ende e parakohshme për ekonominë tonë. Forcimi i euros gjatë muajit të fundit ka dhënë ndikimet e tij në sektorët e ekonomisë, sidomos në ato që të gjithë transaksionet i bëjnë në monedhën e përbashkët evropiane. Një prej sektorëve më të prekur nga kjo rritje është ai i ndërtimit, i cili me gjithë rënien e kërkesës për blerje, kjo si rrjedhojë e shtrëngimit të kreditimit nga bankat private, përsëri nuk i ka ulur çmimet. Sipas Bankës së Shqipërisë, në sektorin e ndërtimit çmimet e shitjeve vazhdojnë të ruajnë akoma trendin rritës, pasi arsye kryesore është forcimi i monedhës evropiane me të cilën ky treg kryen shit-blerjet.
24 Tetor 2009