Qeveria, ok marrëveshjes me BERZH për by-passet e Vlorës dhe Fierit
Këshilli i Ministrave ratifikoi dje në mbledhjen e radhës marrëveshjen e huasë mes Republikës se Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e by pass-ve të rrugës se Fierit dhe të Vlorës. Duke e vlerësuar këtë si një zhvillim madhor, kryeministri i cilësoi bypass-et shumë të rëndësishme për këto dy qytete dhe zonat përreth. “Është e njohur historia e by-pass-it të Fierit, një investim prej rreth 50 milion eurosh, i cili për shkak se trajektorja e tij e parë kalonte afër Apolonisë dhe u konstatua në studime zanore se aty kishte rrënoja arkeologjike dhe qyteti nga kodra ishte i shtrirë dhe drejt fushës, atëherë ne u detyruam ta bllokojmë projektin, të bëjmë projekt të dytë për të, i cili mori kohën e tij jo të pakët. Pasi u bë, projekti iu paraqit kreditorëve, të cilët e miratuan me dashamirësi - dhe unë u jam shumë mirënjohës - dhe pranuan ta shqyrtojnë edhe njëherë projektin, çka nuk është shumë e zakonshme në praktikat e tyre dhe ta financojnë, e ky ishte një veprim shume i rëndësishëm për ne. Me këtë vendim ne ratifikojmë marrëveshjen dhe e çojmë në parlament, hapet drita jeshile më pas për tenderimin e fillimit të këtij by pass-i”, - u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas tij, edhe by-pass-i i Vlorës me vlerë 40 milion euro është i rëndësishëm, sepse e anashkalon tërësisht Vlorën, Radhimën dhe zonën e urbanizuar të bregdetit të saj për t’u bashkuar me rrugën e Llogorasë, jashtë zonave të banuara mbi Dukat.
“Këtë by-pass e kemi integruar dhe në fonde të tjera, kështu që financimi për by-pass-in e Vlorës është siguruar 100 %. Me garantimin e këtij by-pass-i, infrastruktura rrugore e bregdetit jonian bëhet më e përshtatshme, ndaj dhe do të kalojë në parlament. Projekti për këtë by-pass është gati dhe është bërë nga studio shumë të mira dhe del edhe një rrugë tjetër, e cila shpëton ngushticën e madhe që krijohet në zonën Vlorë –Radhimë, ngushticë e cila pa këtë by-pass do të bëhej shumë problematike, sepse e vërteta është që turizmi në Vlorë po shkon drejt Radhimës, Orikumit, Karaburunit dhe mund të them se ajo zonë, përtej Ujit të Ftohtë e deri në Orikum është e ndërtuar më mirë në rrafshin e kondicioneve urbanistike dhe me përjashtim të ndonjë defekti, në tërësi meritojnë lavdërime”, - tha ai. Ndërkaq pritet që qyteteve t’u ndërtohen unazat.