E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Do ndërhyhet, nëse centrali bërthamor thyen rregullat evropiane të mjedisit dhe energjisë

Nga Erisa Zykaj, Bruksel

Burimet e Komisionit Evropian janë përgjigjur për gazetën “Lajmi” lidhur me problematikën që përbën ndërtimi i mundshëm i një centrali bërthamor shqiptaro-kroat në Shqipëri.

Vendet e rajonit të Ballkanit nuk mund të ndërmarrin iniciativa të izoluara apo të pakonsultuara për në fushën energjitike, duke qenë se ato bëjnë pjesë në komunitetin e energjisë BE-Ballkan, komunitet që ka për qëllim shtrirjen e legjislacionit dhe rregulloreve të tregut energjitik të BE në Ballkan. Në këtë kontekst, Komisioni Evropian është njoftuar për interesin e qeverisë shqiptare për ngritjen e një centrali bërthamor në Shqipëri. Ndonëse ngritja e një centrali të tillë nuk mund të pengohet në parim, pasi Traktati i Komunitetit të energjisë nuk mbulon aspektin bërthamor, mekanizmi i zgjidhjes së konflikteve në kuadër të Komunitetit mund të ndërhyjë, nëse shkelen parimet evropiane.

Së pari, Komisioni nuk përjashton ndërtimin e një centrali bërthamor, por e vë atë në perspektivë afatgjatë. “Traktati i Komunitetit të energjisë nuk prek veçanërisht prodhimin e energjisë bërthamore, pasi mbulon përgjithësisht tregun e energjisë, pavarësisht nga mënyra e prodhimit të energjisë. Ne nuk kemi elemente që konfirmojnë se në Shqipëri do ndërtohet një central bërthamor. Me aq sa kemi marrë vesh ne, bëhet fjalë për një bashkëpunim politik midis Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën energjitike, që mund të përfshijë në terma të përgjithshme elementin bërthamor në një perspektivë afatgjatë. Vendet kanë të drejtë të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi. Kjo forcon bashkëpunimin rajonal”, - thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të komisionerit për Energjinë, Andris Piebalgs.

Lidhur me pyetjen, se ç’problem përbën, nëse një nga shtetet fqinje është kundër projektit, siç është rasti i Malit të Zi, Komisioni thotë se në këtë rast mekanizmi i zgjidhjes së konflikteve nuk mund të aplikohet, sepse bëhet fjalë për çështjen bërthamore. Siç është shpjeguar më sipër, aspekti bërthamor nuk mbulohet nga Traktati. Kjo do të thotë që mekanizmi për të zgjidhur mosmarrëveshjet bilaterale që ekziston në kuadrin e Komuniteti të Energjisë është i pafuqishëm për të ndërhyrë në çështjen e ndërtimit të një centrali bërthamor. Por këtu ka një përjashtim.

Sipas Komisionit, ky mekanizëm mund të ndërhyjë, nëse thyhen rregullat e respektimit të legjislacionit evropian në fushën e mjedisit ose të energjisë. “Ky mekanizëm mund të ndërhyjë, nëse gjatë ndërtimit të një centrali bërthamor, cenohet legjislacioni i arritur deri tani në fushën e energjisë dhe të mjedisit”, - thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Komisionit Evropian, Ferran Tarradellas Espuny. Sipas Komisionit Evropian, ministrat e Energjisë së Ballkanit dhe komisioneri Piebalgs janë të lirë për ta diskutuar këtë çështje në nivelin ministror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›