PS: Nëse vazhdon kaosi me kartat, do rishohim qëndrimin tonë për zgjedhjet
Socialistët në opozitë kanë kërcënuar se do të shikojnë qëndrimin e tyre për zgjedhjet e ardhshme, në rast se nuk do të bëhet sa më shpejt dhe siç duhet shpërndarja e kartave të identitetit me çmimin e ri.
Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS, Damian Gjiknuri, tha dje se procesi vazhdon të jetë kaotik dhe akuzoi qeverinë për këtë.
“Vendimi nr. 419, datë 30 prill 2009, që redukton tarifën në 200 lekë, jo vetëm që filloi të zbatohet vetëm sot duke humbur 6 ditë të çmuara, por nuk po zbatohet siç duhet.
Në shumë agjenci postare shtetasit pa pasaportë, që nuk e kanë emrin në listat e Ministrisë së Brendshme nuk po pajisen me kupon kundrejt tarifës 200 lekë, me pretekstin se duhet të dorëzojnë një vërtetim nga policia se nuk disponojnë një të tillë. Ky fenomen është konstatuar në filialet e postave të njësive 1, 2, 4, 5, 7, 9, 11 në Tiranë.
E theksojmë që kjo kërkesë është në kundërshtim me vendimin në fjalë, pasi shtetasi duhet vetëm të nënshkruajë formularin përkatës që nuk disponon pasaportë. Një pengesë e tillë artificiale është një përpjekje tinëzare për të mos pajisur shtetasit me kuponë për aplikim.
Gjithashtu, jo në të gjitha njësitë posta shqiptare po aplikon tarifat e reja për kategoritë përfituese duke sjellë pengesa serioze në proces”, - tha Gjiknuri.
Sipas tij, në 38 njësi vendore nuk janë hapur zyra aplikimi, duke rrezikuar seriozisht mbi 25 mijë zgjedhës në këto njësi.
Në përfundim të fjalës së tij, Gjiknuri tha se heshtja e Ministrisë së Brendshme për këtë kaos shton hijet e dyshimit mbi ta.
“Denoncojmë heshtjen e Ministrisë së Brendshme në lidhje me kërkesat e anëtarëve të opozitës në komisionin Ad Hoc, sidomos për fatin e pasaportave të vjetra që ndodhen akoma në magazinat e Ministrisë së Brendshme dhe procedurat që po ndiqen me to. Çdo heshtje në këtë drejtim hedh hije të forta dyshimi në lidhje më shpërndarjen e tyre në mënyrë joligjore për efekte votimi.
Gjithashtu, i kujtojmë Ministrisë së Brendshme, se në pjesën më të madhe të njësive vendore vendimi nr. 366 për personat që përfitojnë ndihmë ekonomike nuk po zbatohet dhe nuk kemi asnjë informacion publik në lidhje me to. I njëjti fenomen po ndodh edhe me Drejtoritë e Arsimit në rrethe, të cilat nuk po blejnë kuponë sipas vendimit në fjalë.
I kërkojmë Ministrisë së Brendshme që të deklarojë zyrtarisht dhe publikisht se çdo qytetar që nuk ka emrin në listat e MB duhet të aplikojë duke nënshkruar një deklaratë në postë, si dhe të marrë masa që administrata e postës të mos keqinterpretojë vendimin sipas orekseve të drejtuesve të saj”, - tha Gjiknuri.
“PS është seriozisht e angazhuar që ky proces të përfundojë një orë e më parë, por, nëse situata në terren nuk përmirësohet dukshëm në ditët në vijim, ne jemi të detyruar të rishikojmë qëndrimin tonë politik në lidhje me zgjedhjet”, - përfundoi ai.