KE: Keni plotësuar tre kushtet për vizat
Ekspertët e Komisionit Europian vlerësojnë se Shqipëria ka përmbushur tre kushtet e vendosura për liberalizmin e vizave me vendet e Bashkimit Europian. Ky qëndrim u bë i ditur dje gjatë një takimi që zyrtarët e KE-së patën me Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Brendshme, zyrtarët e ardhur dy ditë më parë nga Brukseli janë shprehur se "jemi të kënaqur për progresin që kemi konstatuar për plotësimin e kritereve shtesë të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. çdo gjë është në rrugën e duhur". Pas miratimit të propozimit dy muaj më parë nga Komisioni Europian, u vendos që Shqipëria të plotësonte edhe tre kushte të tjera, që kanë të bëjnë me strategjinë për riintegrimin e të riatdhesuarve, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe forcimin e kapaciteteve të policisë së shtetit. Për të treja këto kushte, ekspertët e KE-së janë shprehur se gjatë inspektimit kanë parë plotësimin e tyre. "Përfaqësuesit e Komisionit Europian vlerësuan se është bërë punë shumë e mirë për Strategjinë për Riintegrimin e të Riatdhesuarve, se kanë konstatuar rezultate të kënaqshme në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, narkotrafikut dhe trafikut të qenieve njerëzore si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit, e po kështu vlerësuan përpjekjet dhe rezultatet e deritanishme të agjencive ligjzbatuese në fushën e goditjes së aseteve ekonomiko-financiare të krimit të organizuar", thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Nga ana e tij, Ministri Basha u shpreh në takim se Qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë vullnetin dhe përkushtimin e plotë jo vetëm për të përmbushur detyrat shtesë të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave, por edhe për të vendosur në praktikën e punës të institucioneve shqiptare standardet më të larta të Bashkimit Europian. Në këtë takim me ministrin Basha merrnin pjesë shefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit në Drejtorinë e Përgjithshme për Lirinë dhe Sigurinë të Komisionit Europian, Luigi Soreca, i cili ishte i shoqëruar nga zv.shefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit, Vassilis Maragos, dhe kreu i Delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan. Dy ditë më parë, raportuesja për Shqipërinë në PE, Tanja Fajon propozoi një rezolutë, e cila i bën thirrje Parlamentit dhe Komisionit që të përshpejtojnë procesin për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. "Bashkimi Europian ka përgjegjësinë politike për të përfunduar këtë proces. është paradoksale që pas më shumë se 20 vite nga rënia e murit të Berlinit, ne ende kemi "murin e vizave" ndaj fqinjëve tanë të drejtpërdrejtë. Heqja e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjes të trajtohet si "çështje urgjente", në bazë të angazhimit të përbashkët të shprehur nga Këshilli dhe Parlamenti vitin e kaluar", thuhet në draftin që ka nisur të diskutohet në Komisionin për çështjet Ligjore në PE-së.
Strategjia
Kushti i parë i vendosur nga KE ka të bëjë me miratimin e një strategjie për Riintegrimin e të Riatdhesuarve, e cila u shtua si kërkesë pasi në vendet e BE-së u rrit ndjeshëm numri i qytetarëve që kërkonin azil, pasi Unioni hoqi vizat me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Qeveria e miratoi më 9 qershor.
Policia
Më 15 qershor në mbledhjen e Komitetit ndërministror të Liberalizimit të Vizave, u mor vendimi që Ministria e Financave të lëvrojë fondin, në mënyrë që sistemet MEMEX dhe FRONTEX të marrin të gjitha kapacitet e nevojshme të funksionimit të tyre. Ky kusht ka të bëjë me luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Kapacitetet
Kushti i tretë ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit në kufi. Në mbledhjen e 28 prillit u mor vendimi që rreth 200 forca të rendit që merren me sigurinë e objekteve shtetërore të transferohen në Policinë e Kufirit, në kuadër të përmbushjes së kërkesave për heqjen e vizave.