E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli ndaj SHISH, PD shtyn ligjin



Erald Kapri

Shtyhet miratimi i projektligjit për kontrollin parlamentar ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror. Arsyeja e shtyrjes së miratimit të këtij ligji brenda këtij sesioni parlamentar, që përfundon më 26 korrik, është mungesa e kohës. Burime pranë Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend bëjnë me dije për gazetën se pavarësisht se nisma ligjore ndodhet në kalendar për t'u miratuar, do të duhet më shumë kohë për shqyrtimin e saj. Ky projektligj, i huazuar nga Sllovenia, parashikon mënyrën se si Kuvendi do të mbikëqyrë punën e SHISH-it, një iniciativë, e cila do të nisë menjëherë nga diskutimi. Komisioni i Sigurisë po asistohet nga një ekspert i huaj britanik, i cili është propozuar nga zyra e OSBE-së në Tiranë, e cila ka mbështetur këtë projektligj. Ndërkaq prezenca e OSBE-së në Shqipëri reagoi duke pohuar se do të ofrojë asistencë në hartimin e projektligjit mbi mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative dhe të sigurisë, duke shprehur edhe domosdoshmërinë për më shumë kohë për ta diskutuar. Sipas OSBE-së, një ish-anëtar i specializuar i Komisionit për Sigurinë dhe Shërbimet Informative të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me personelin e OSBE-së, do të japë rekomandime, të cilat do t'i paraqiten Kuvendit para se të miratohet projektligji. Sipas OSBE-së, ky ligj është i ndryshëm dhe më vete nga ndryshimet në ligjin "Për Shërbimin Informativ Shtetëror", të debatuara publikisht së fundmi. "Mbikëqyrja parlamentare e shërbimeve kombëtare informative dhe të sigurisë, si dhe e institucioneve qeveritare që i mbikëqyrin ato, siguron llogaridhënie demokratike", tha ambasadori i OSBE-së, Bosch. Nga ana tjetër të njëjta burime pranë komisionit të sigurisë shprehen se do të tentohet që projektligji të miratohet me konsensus, pasi çdo nen i tij do të miratohet me asistencën e OSBE-së. Vetë zyra e OSBE-së në Tiranë ka bërë me dije se projektligji i huazuar nga eksperienca sllovene rregullon mbikëqyrjen nga Parlamenti të punës së shërbimeve informative dhe të sigurisë. Kjo është një iniciativë e re ligjore, që s'ka lidhje me debatin e pak muajve më parë kur Qeveria kërkoi të miratojë një ligj që përcaktonte kompetenca të reja për SHISH-in dhe vendoste mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje për krerët e institucionit të SHISH-it. Sipas nismës së re, Komisioni i Sigurisë do të mbledhë informacion nga SHISH e më pas do të raportojë çdo vit në Kuvend mbi punën e këtij institucioni. Të gjitha mbledhjet dhe raportimet do të bëhen me dyer të mbyllura, ndërsa deputetët do të ndiqen penalisht, nëse tregojnë në publik çdo informacion të rezervuar që ofron SHISH gjatë raportimeve në komision. Njëkohësisht kompanitë celulare në vend do të tregojnë në komision çdo tabulat telefoni të marrë nga SHISH.

Debati për ligjin e SHISH
Ndryshimet ligjore ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror janë bërë objekt debati mes maxhorancës dhe opozitës, ku në mes ka hyrë edhe faktori ndërkombëtar. Pak muaj më parë u paraqit një projektligj, që prekte kompetencat e SHISH si dhe vendoste mandat për krerët e SHISH, por projekti nuk u miratua për shkak të presionit ndërkombëtar dhe të opozitës. Ai u la që të diskutohej më tej, por që deri më sot Kuvendi nuk e ka përfshirë në kalendarin e diskutimeve. Ajo ishte një iniciativë e re ligjore, që s'ka lidhje me debatin e pak muajve më parë kur Qeveria kërkoi të miratojë një ligj që përcaktonte kompetenca të reja për SHISH-in.

Opozita kundër, akuzon Qeverinë
Opozita është shprehur kundër projektligjit për kontrollin parlamentar ndaj Shërbimit Informativ shtetëror. Sipas nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, deputetit të PS-së, ilir Gjoni, kjo është një tentativë e Qeverisë për të vënë nën urdhra SHISH-in. Sipas Gjonit, SHISH është një institucion i pavarur dhe s'mund t'i preket asnjë kompetencë. "Me këtë veprim, Sali Berisha mesa duket hakmerret ndaj një raporti realist e të balancuar, që drejtori i SHISH bëri para Komisionit të Sigurisë, raport i cili binte ndesh me situatën rozë që mundohet të paraqesë Qeveria, sa u përket problemeve të sigurisë në vend", është shprehur Gjoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›