Patozi-Ruçi, nisin negociatat
Aristir Lumezi
Nisin negociatat PS-PD për zgjidhjen e krizës politike. Kreu i grupit të PS, Gramoz Ruçi, dhe ai i grupit demokrat, Astrit Patozi, u takuan dje për herë të parë në selinë e kryesisë së Kuvendit, menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist. Mësohet se në këtë takim ata kanë përcaktuar termat mbi të cilat do të zhvillojnë negociatat e ditës së sotme dhe modalitetet e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar. Negociatat vijnë në frymën e rezolutës së Parlamentit Europian, e cila përcakton ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, ku shumicën dhe kryetarin e tij do ta ketë opozita. Grupi parlamentar socialist mandatoi dje kreun e tij, Gramoz Ruçi, të nisë negociatat me PD për gjetjen e zgjidhjes së krizës. Në mbledhjen e djeshme të grupit, kreu i tij, ka informuar deputetët për sinjalin e ardhur nga PD, për të hyrë në negociata me ta, për të arritur në një pikë takimi mes tyre e për t’i dhënë kështu fund krizës. Në fund të mbledhjes së grupit, Ruçi informoi deputetët për ftesën për takim, që kishte marrë nga kreu i grupit demokrat të deputetëve, Astrit Patozi, përmes një telefonate. Mësohet se Ruçi u ka thënë deputetëve se e ka pranuar këtë ftesë, jo se është bërë nga Berisha, apo ishte kërkesë e Berishës, por sepse termat e përdorur nga Kryeministri ishin ato që kishin kërkuar socialistët për 12 muaj rresht për transparencën. Asnjë detaj nuk është diskutuar rreth elasticitetit që socialistët do të kenë në qëndrimin e tyre rreth fletëve të votimit, por kjo pritet të jetë dhe pika më e nxehtë e këtyre negociatave, e cila i ka ndarë palët që pas darkës së “Krokodilit” në Strasburg. Ende nuk dihet se si do të sillen palët me fletët e votimit, pasi leximi i rezolutës së Parlamentit Europian nga palët është bërë në këndvështrime të ndryshme. Nga ana e tij, kryetari socialist Edi Rama në hetimin e materialeve zgjedhore që përcakton rezoluta e PE-së përfshin dhe fletët e votimit, duke kërkuar kështu që ato të vlerësohen përmes një kompromisi mes palëve. Ndërsa maxhoranca dhe kreu i saj, Sali Berisha, dy ditë më parë u shpreh i hapur për hetimin e materialeve zgjedhore, ndërsa lidhur me fletët e votimit, i kërkoi kryesocialistit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, madje dhe Gjykatës së Strasburgut, për të argumentuar të drejtën kushtetuese për transparencë.
Negociatat
Që prej nisjes së kundërshtimit të zgjedhjeve të 28 qershorit nga ana e PS-së, është hera e parë që të dyja palët, PD dhe PS ulen në nivel kryetarësh grupi parlamentar, që tregon se palët janë shumë afër gjetjes së zgjidhjes së krizës. Të nisura në nivelin më të lartë politik me darkën e Strasburgut mes Ramës dhe Berishës, ku europianët panë qartë dallimin mes palëve, ku njëra palë kërkonte zgjidhje politike dhe tjetra zbatim të ligjit aktual zgjedhor, negociatat u ulën në nivel ekspertësh. Në mënyrë të përsëritur, ekspertët e PS dhe PD u takuan në Bruksel dhe Strasburg, por pa arritur në një zgjidhje konkrete. Edhe drafti i ofruar nga krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare në PE, Daoul dhe Shultz, nuk u pranua nga të dyja palët, por vetëm nga kryesocialisti Rama. Duket se rezoluta e Parlamentit Europian dhe kërcënimi i socialistëve se, mund të braktisin sërish Parlamentin dhe t’i kthehen protestave në shtator, ka detyruar palët që negociatat t’i vendosin në nivel parlamentar, aty ku do të vijë dhe zgjidhja përmes komisionit hetimor parlamentar. Dhe pse mbetet i paqartë formulimi i objektit të komisionit hetimor dhe qasja e palëve ndaj fletëve të votimit, angazhimi i dy krerëve të grupeve më të mëdha parlamentare pritet të sjellë rezultatin e pritur, që do të çojë më pas palët në nisjen e punës për reformën zgjedhore.