Tribunali kërkon që Gjorgjeviç të dënohet me 35 vjet burg
Tribunali i Hagës ka kërkuar nga gjykatësi që gjeneralit tashmë në pension të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç, t’i shqiptohet dënimi prej 35 vjetësh burg ose të dënohet me burg të përjetshëm, për shkak të krimeve ndaj shqiptarëve në Kosovë, në vitin 1999. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e Tribunalit, Nerma Jelaçiç. Gjykimi i Gjorgjeviçit në Hagë filloi në muajin janar të vitit të kaluar, kurse prokurorët kanë përfunduar me paraqitjen e provave në tetor.
SHBA
Dëbohet edhe spiuni i dymbëdhjetë rus
Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar 23-vjeçarin rus, Aleksei Karetnikov, nën akuzat për spiunazh. Burimet e Departamentit të Sigurisë Kombëtare njoftojnë se Karetnikov “ka pranuar se gjendej në Shtetet e Bashkuara në kundërshtim me ligjin për imigrim”. Të njëjtat burime pohojnë se ai ka pranuar të largohet duke mënjanuar procedurat gjyqësore. Karetnikov është personi i dymbëdhjetë i rrjetit rus të spiunazhit të arrestuar së fundi në SHBA. Dhjetë prej tyre u kthyen në Rusi si rezultat i shkëmbimit të të burgosurve mes Uashingtonit e Moskës.
Iran
Rikthehet në atdhe shkencëtari i çështjeve bërthamore
Shkencëtari për çështje bërthamore nga Irani është kthyer në Teheran pasi ishte zhdukur para një viti në SHBA. Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkëmbyer akuza të ndërsjellta lidhur me fatin e tij. Irani tha se shkencëtari Sharam Amir ishte rrëmbyer nga CIA para një viti, ndërsa Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se shkencëtari iranian kishte shkruar në SHBA më dëshirë dhe ishte i lirë të kthehej në Iran kur të donte. Vete Sharam Amir ka bërë deklarata kundërthënëse, fillimisht ai tha se kishte mbërritur në Amerikë me vullnet të lirë dhe më pas se ishte rrëmbyer nga agjentët e CIA-s.
Gjiri i Meksikës
“BP” shtyn fillimin e testit për derdhjen e naftës
Për shkak të kërkesave të të ngarkuarit të qeverisë amerikane për që të zhvillohen analiza paraprake “BP” shtyn provat me gypin për të vënë nën kontroll derdhjen e naftës. Në përpjekjet e koncernit “BP”, për të vënë nën kontroll derdhjen e naftës në Gjirin e Meksikës, nëpërmjet një gypi thithës kanë dalë probleme të paparashikuara. Një provë dyditore me të cilën koncerni donte të testonte nëse mund ta ndalonte derdhjen e naftës disatonëshe në det të hapur, është shtyrë për më vonë. Prova pritej të fillonte ditën e martë.
15 Korrik 2010