KE: Konsensus për reformën në drejtësi
ADI SHKEMBI
Komisioni Europian kërkon konsensus të gjerë politik për reformimin e sistemit të drejtësisë. Kreu i KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan deklaroi dje gjatë ceremonisë së mbylljes së projektit të BE-së prej 4.5 milionë euro, EURALIUS II, në ndihmë të reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri, se "reformimi i sistemit të drejtësisë nuk mund të arrihet me vendime të rastësishme apo të copëzuara. Shteti i së drejtës duhet të burojë nga një vizion i plotë dhe strategji gjithëpërfshirëse drejt synimeve të transparencës, përgjegjshmërisë dhe eficencës". Ambasadori Lohan vijoi të nënvijëzonte se "një vizion i tillë i gjyqësorit mund të arrihet vetëm nëpërmjet një konsensusi të gjerë politik, dhe se këto sfida duhet të adresohen sa më shpejt. Shteti i së drejtës vihet në jetë nga njerëzit, aftësitë profesionale, vullneti dhe integriteti i të cilëve janë thelbësore për suksesin e reformës së gjyqësorit". Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së Komisionit Europian, në 30 muaj të zbatimit të projektit të Bashkimit Europian, kanë punuar me Ministrinë e Drejtësisë 9 ekspertë europianë dhe 2 shqiptarë. Sipas KE-së "sistemi i drejtësisë në Shqipëri vazhdon të funksionojë dobët, për shkak të problemeve me pavarësinë, transparencën dhe eficencën". "EURALIUS II, faza e dytë e projektit të financuar nga BE për gjyqësorin në Shqipëri, u përqendrua te çështje si hartimi dhe përafrimi i legjislacionit, zbatimi i vendimeve, organizimi dhe reforma e gjyqësorit, dialogu ndërinstitucional, kapacitetet menaxhuese të gjyqësorit dhe Ministrisë së Drejtësisë, administrimi dhe planifikimi i buxhetit të gjyqësorit, administrimi i gjykatave dhe menaxhimi i rasteve, e drejta penale, edhe administrimi i tokës dhe e drejta e pronës së patundshme", thuhet më tej në njoftimin për shtyp të Komisionit Europian. Euralius ka bashkëpunuar me Qeverinë shqiptare, për hartimin e disa ligjeve për organin e akuzës dhe Gjykatën Administrative.