Shembja e ndërtimeve pa leje, plumba ndaj Policisë Ndërtimore në Pyllin e Sodës
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Luftë shtetit në Pyllin e Sodës. Aksioni i djeshëm, i paralajmëruar për ndërtimet pa leje në këtë zonë të Vlorës, ka degjeneruar me krisma arme. Vetëm ndërhyrja e shpejtë e policisë ka bërë që të paralizohet autori, oficer i Marinës. Forcat e Inspektoratit Ndërtimor të Vlorës dhe atyre të Tiranës janë përballur dje me sulmin e banorëve, të cilët kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme gjatë viteve të fundit. Me anë të një vendimi që u ka shkuar disa ditë më parë, Ndërtimorët kanë vënë në dijeni banorët e 50 shtëpive dhe pronarët e 30 lokaleve në këtë zonë, që objektet e tyre do të ishin në shënjestër të një aksioni për pastrimin e zonave të palegalizuara. Mes këtyre objekteve janë ato që nuk figurojnë në hartat e fotografimit ajror të Agjencisë së Legalizimit vite më parë. Ditën e hënë, banorët protestuan duke u përplasur me forcat e policisë së rendit, ndërsa dje në Pyllin e Sodës shpërthyen armët. Maringlen Xholi, 28 vjeç, qëlloi në drejtim të fadromës, në momentin kur drejtuesi i saj kishte shembur një pjesë të shtëpisë. Oficeri i Marinës nxori nga brezi pistoletën e punës, duke qëlluar tri herë në drejtim të fadromistit. Fatmirësisht, plumbat përshkuan vetëm xhamat e fadromës. Mbas tri goditjeve me armë, i riu është neutralizuar nga forcat e policisë e më pas u arrestua. Ai mbante detyrën e shefit të policisë së qarkullimit në policinë ushtarake në Vlorë. Mësohet se autori kishte deklaruar edhe më parë se nëse do t'i prishej banesa, ai do reagonte ndaj policisë dhe fadromistit. Në këto kushte policia e ka mbajtur nën vëzhgim, por 28-vjeçari Xholi ka arritur të afrohet fillimisht me blutë, duke u ulur përbri tyre. Vetëm kur banesa ishte prishur në gjysmën e saj, papritur ai është ngritur duke nxjerrë armën tip pistoletë të shërbimit. Veç Xholit, edhe banorët e tjerë kanë bërë rezistencë, pavarësisht se përballë tyre ndodheshin forca të shumta të policisë së rendit, specialëve dhe atyre të Inspektoratit Ndërtimor. Tre skrepat e ndërtimorëve i janë drejtuar zonës së Pyllit të Sodës që në orën 05:00. Të ndarë në tri grupe, ata nisën aksionin për rrëzimin e të gjithë objekteve pa leje të ndërtuara pas vitit 2006 dhe që nuk i përkasin procesit të legalizimit.
Kreu i Ndërtimorëve, Gjergji Bojaxhi, ishte prezent në terren që në fillim të aksionit. Pas incidentit të ndodhur dhe kundërshtive të banorëve, Bojaxhi ritheksoi se vendimet do të zbatohen dhe nuk ka kthim. "Kjo është faza e parë, ku do të shemben të gjitha ndërtimet pa leje. Qytetarët janë njoftuar më parë për këtë aksion", u shpreh Bojaxhi. Sipas tij, përgjithësisht, objektet që do të shemben janë në formën e banesave, por të pabanuara në pjesën dërrmuese të tyre, ndërsa pjesa tjetër janë lokale. "Objekteve të banuara u kemi lënë kohë deri në fazën e dytë të aksionit tonë në Vlorë dhe më pas ato do të shemben", u shpreh më tej kreu i Ndërtimorëve. Aksioni nuk do të shtrihet vetëm në Pyllin e Sodës, por do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare e më gjerë. Por kjo do të realizohet në fazën e dytë, e cila do të jetë në shtator, për të mbyllur edhe sezonin turistik. Deri atëherë do të punohet me identifikimin e të gjitha objekteve pa leje që janë në të gjithë zonën e më pas do të fillojë prishja e tyre. Banorët nga ana e tyre kanë reaguar, duke thënë se shteti i kishte lënë vetë ata të ndërtojnë, ndaj duhej të legalizoheshin edhe këto objekte, për të cilat të gjitha partitë kishin deklaruar se do të legalizohen.
Ndërtimet pa leje, prishen 3 objekte në rrugën e Zogajt
SHKODER - Fadromat e Ndërtimores prishën dje tri objekte pa leje, dy lokale dhe një shtëpi që kishte filluar të ndërtohej në zonën turistike Shirokë-Zogaj. Sipas drejtuesve të Inspektoratit Ndërtimor të Shkodrës, operacioni i prishjes së ndërtimeve pa leje do të vazhdojë pa ndërprerje në të gjithë ato zona që konsiderohen me rëndësi për turizmin rajonal. Këtu ata përmendën ndërhyrjet në afërsi të Kalasë Rozafa si dhe në segmentin Shirokë -Zogaj. Roland çomo, kreu i këtij Inspektorati në Shkodër, u shpreh se aksioni do të vazhdojë ndaj të gjitha objekteve të ndërtuara pa leje që nga Ura e Bunës deri në Zogaj, por njëkohësisht edhe në ato objekte që bien ndesh me planin urbanistik të qytetit. Gjatë aksionit të Ndërtimorëve, me gjithë praninë e Policisë së Shkodrës dhe asaj bashkiake, nuk pati asnjë reagim nga ana e pronarëve të ndërtimeve të paligjshme që u shembën. Ata ishin lajmëruar më parë për shembjet që do të kryheshin, pasi ndërtimet janë bërë pas vitit 2006 dhe pronarët e tyre nuk kishin bërë veprime për legalizim. Ndërkohë, objektet që janë shembur nuk figurojnë as në hartën dixhitale e bërë kohë më parë. Pritet që në vazhdim, Inspektorati i Ndërtimit të vijojë aksionin me shembjen e objekteve të tjera në këtë qark, të cilat konsiderohen pa leje. r.d
80 vendime
për prishje të ndërtimeve në zonën e Pyllit të Sodës kishte Inspektorati Ndërtimor, nga të cilat 50 janë banesa dhe 30 të tjera lokale
3 plumba
rrezikuan t'i marrin jetën fadromistit të Ndërtimorëve, por, fatmirësisht ato përshkuan vetëm xhamat e mjetit, ndërsa punëtori në të nuk pësoi plagë