E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv.kancelari gjerman pret Metën: Kapërceni mosmarrëveshjet



Zv.kancelari dhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle tha dje gjatë një takimi me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta, se klasa politike duhet të kapërcejë mosmarrëveshjet. Gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi politik dhe ekonomik dhe u shpreh vullneti i përbashkët për forcimin e mëtejshëm të tij, përmes investimeve gjermane në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e energjisë, duke nxitur bizneset e vogla e të mesme. Gjithashtu, u vlerësua bashkëpunimi dypalësh mes strukturave përgjegjëse në luftën kundër krimit të organizuar. "Në lidhje me situatën politike në Shqipëri, Ministri Westerwelle theksoi rëndësinë e dialogut politik dhe kapërcimin e mosmarrëveshjeve midis palëve brenda Parlamentit, pasi mirëfunksionimi i tij është shumë i rëndësishëm për reformat që kërkon integrimi europian i vendit. Meta u shpreh se maxhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për çdo çështje që ka të bëjë me interesin e vendit dhe integrimit europian, dhe të plotësojë të gjitha kërkesat e saj në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi", thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Ministrisë së Jashtme. Gjatë takimit u diskutua edhe lidhur me dorëzimin e pyetësorit të Shqipërisë për aplikimin për të marrë statusin e vendit kandidat. Në të njëjtën kohë, kreu i diplomacisë shqiptare vuri theksin te masat që po ndërmerr Qeveria shqiptare, për të plotësuar tre kushtet e papërmbushura ende nga Komisioni Europian për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. "Zv. kancelari dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Westerwelle konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave, sapo Komisioni të ketë konfirmuar përmbylljen e plotë të të gjitha kritereve të Udhërrëfyesit. Njëkohësisht, Westerwelle shprehu mbështetjen e vendit të tij për integrimin europian të Shqipërisë", thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Duke folur për samitin e Sarajevës, zv.kryeministri shqiptar tha se pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim ishte një hap përpara në integrimin e rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›