E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Kosovarët, jo në BE me pasaporta biometrike të Serbisë



Komisioni Europian ka vendosur që liberalizimi i vizave me Serbinë të mos vlejë për asnjë qytetar të Kosovës që pajiset me pasaporta biometrike të Republikës së Serbisë. Lajmi u bë i ditur nga shtypi kosovar, në faqet e të cilit shpjegohej se vendimi për liberaliimin e vizave do të vlejë vetëm për ata që jetojnë me adresë të saktë banimi në territorin e Serbisë. Gazeta kosovare “Express” shkruante sot lidhur me mundësinë që Serbisë t’i hiqet regjimi i vizave për në BE në fund të këtij viti dhe se kosovarë të shumtë kanë shfrytëzuar rastin që të marrin pasaporta biometrike të këtij shteti. Mirëpo, pas shumë debatesh të Komisionit Europian lidhur me këtë çështje, tani është marrë vendimi që asnjë qytetari të Kosovës, pavarësisht nacionalitetit të tij shqiptar, serb apo rom, nuk do t’i vlejë pasaporta biometrike serbe për të udhëtuar pa viza në BE. Ky veprim i KE-së është përshëndetur nga qeveria kosovare. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi e ka vlerësuar si të drejtë vendimin që pasaportat biometrike të Republikës së Serbisë të mos vlejnë për asnjë qytetar të Kosovës, pa vizën përkatëse, pavarësisht përkatësisë së tij etnike. Kjo, sipas tij, tregon qartë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, dhe qytetarët e Kosovës janë shtetas të Kosovës.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›