Aksidentet, dy të vdekur gjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Tiranës
Tiranë – Dy të vdekur është bilanci i dy aksidenteve të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Tiranës, ndërsa policia ka arrestuar përgjegjësit e tyre. Sipas policisë aksidenti i parë ndodhi dje në bulevardin “Zhan D’ark”, përpara rrethimit të hotel Dajti, kur H. M, vjeç 32, lindur në Durrës dhe banuese në Tiranë, ka qenë duke drejtuar mjetin veturë tip “Benz 220”, me targa TR 9587 P, ka aksidentuar një këmbësore, 57-vjeçe. Drejtuesja e mjetit i ka ardhur menjëherë në ndihmë të aksidentuarës duke e transportuar menjëherë në spital, por ajo ka ndërruar jetë sapo mbërriti në duart e mjekëve. Në vendin e ngjarje mbërriti policia e cila arrestoi 32-vjeçaren për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Ndërkohë që po dje një tjetër aksident është regjistruar në rrugën interurbane Kavajë-Rrogozhinë, në degëzimin e Ballutajt, kur 33-vjeçari Refat Godolja, duke drejtuar mjetin autobus tip-Benz 303, me targë EL 6875 B, ka aksidentuar me vdekje 61-vjeçaren Fitnete Shehu.
Depresioni dhe borxhet e mëdha që kishte, detyrojnë 32-vjeçarin të vetëvaret
Tiranë – Depresioni dhe borxhet e mëdha, e kanë detyruar një 32-vjeçar që të kryejë aktin fatal të vetëvarjes. Lajmi bëhet i ditur nga burime policore për gazetën “Albania”, sipas të cilave Edmond Kabashi, 32-vjeç, është gjetur i vetëvarur në shtëpinë e tij në lagjen “Ali Demi” në Tiranë. Mësohet se ai u gjet i varur nga të afërmit e tij, në një shtëpi të vjetër që gjendej ngjitur me banesën e tij që kishte marrë me qira dhe banonte me gruan dhe fëmijët. Familjarët pasi e kanë parë, kanë njoftuar policinë, të cilat kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet për zbardhjen e saj. Burime nga policia thanë se Kabashi vuante nga depresioni dhe kohët e fundit gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi, kjo edhe për shkak të borxheve që kishte krijuar, të cilat duket se e kanë detyruar të marrë edhe aktin fatal.
7 Korrik 2009