E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrohet me shkopinj bejsbolli, plagos rëndë njërin prej tyre



Pogradec – Teksa dhunohej nga tre të rinj 47-vjeçari ka gjetur mundësinë të hapë zjarr mbi ta dhe të lerë të plagosur rëndë njërin prej tyre. Falë kësaj ai ka mundur të shpëtojë nga vdekja e sigurt , por policia menjëherë e ka vënë në pranga pasi ka kaluar, sipas uniformave blu, kushtet e vetëmbrojtjes. Burime zyrtare nga policia e Korçës thanë dje për gazetën se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 02:00, ndërsa shkaqet e krimit, ende nuk janë qartësuar. I arrestuari është Luan Tollozhina, lindur në fshatin Buçimas dhe banues në qytetin e Pogradecit. 47-vjeçari nga Buçimasi, i cili prej vitesh jeton në qytetin e Pogradecit, pranë shkollës “E. Minarolli”, ishte duke shkuar për në banesën e tij kur përpara hyrjes së pallatit u ndalua nga tre djem. Të rinjtë nuk ka nguruar t’i vërsulen dhe pa e bërë të gjatë, nisën ta masakronin duke e goditur me mjete të forta. Agresorët u identifikuan si, Artur Musolli, 35 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vërdovë, i dënuar më parë për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”, Bledi Buzo, 30 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Pogradec dhe Markel Hafisllari, 25-vjeçar, lindur dhe banues në fshatin Vërdovë, i dënuar më parë për “Armëmbajtje pa leje”. Të tre të rinjtë, kanë filluar të godasin 47-vjeçarin Luan Tollozhina, me mjete të forta, shkopinj bejsbolli, në pjesë të ndryshme të trupit. Pak çaste më pas, janë dëgjuar të shtëna arme, nga të cilat ka ngelur i plagosur rëndë, me armë zjarri, 30-vjeçari Bledi Buzo. Ky i fundit, me plagë serioze në njërën kofshë, për shkak të gjendjes së rëndë, është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Policia tha se për këtë ngjarje hetimet i kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec. Burime nga uniformat blu konfirmuan se u ndërmor arrestimin në flagrance i 47-vjeçarit Luan Tollozhina.
Pogradecari do të përballet me akuzat; “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›