SHBA-të dhe Rusia, marrëveshje për çarmatimin dhe Afganistanin
Blerina Olldashi
Qeveria e Moskës dhe e Uashingtonit ranë dakord dje për përpunimin e disa marrëveshjeve për armët strategjitke atomike, të cilat do të pasojnë Paktin START të çarmatimit, afati i të cilit mbaron në dhjetor. Bëhet e ditur se muajt e ardhshëm do të punohet për arritjen bazës për një Pakt të ri çarmatimi. Të dy palët dëshirojnë të bashkëpunojnë më ngushtë, për të penguar shpërndarjen e armëve atomike dhe sulmeve terroriste me armë atomike. Një tjetër vendim i rëndësishëm që u arrit mes presidentit rus Dimitri Medvedev dhe atij amerikan Barak Obama ishte edhe kalimi i materialeve dhe personelit ushtarak të SHBA-ve në Afganistan nëpërmjet Rusisë me rreth 4.500 fluturime në vit. Lajmi u bë i ditur nga Shtëpia e Bardhë pas konferencës së shtypit mes presidentit rus dhe atij në Kremlin. Marrëveshja do t’i kursejë SHBA-ve rreth 133 milionë euro në vit. Ky konsiderohet një vendim historik mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Shfrytëimi i hapësirave ajrore në fakt shihet si njohje e strategjisë së SHBA-ve në Afganistan. Presidenti amerikan Barak Obama filloi dje vizitën e tij në Rusi, ku para disa javësh hyri në fuqi një doktrinë e re sigurie. Sipas saj politika e jashtme luan rol dytësor, SHBA-të dhe NATO-ja mbeten armiq të Kremlinit. “Rusia i ka kapërcyer pasojat e krizës politike dhe ekonomike të fundit të shekullit të 20-të, kriza që kishin të bënin me sistemin. Me një besim të tillë në vetvete nis doktrina e re ruse e sigurisë, që hyri në fuqi në muajin maj nga presidenti rus, Dmitri Medvedev. Dokumenti, që përmban 116 teza do të jetë deri në vitin 2020 udhëzuesi kryesor i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Rusisë. Siç nënvizon zëvendësdrejtori i Këshillit rus të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, Dmitrij Suslov: “Detyrat më të rëndësishme dhe njëkohësisht rreziqet më të mëdha për Rusinë, kanë të bëjnë me vetë Rusinë. Prej tyre del domosdoshmëria e modernizimit, e ngritjes së një sistemi efektiv shtetëror, luftimit të korrupsionit dhe kështu me rradhë”. Për herë të parë në historinë e re ruse, siguria kombëtare e vendit nuk përcaktohet vetëm nga rreziqet e jashtme dhe aftësia mbrojtëse e vendit. Sipas një eksperti për Rusinë: “Sfidat në politikën e brendshme janë sot në plan të parë për Rusinë. Kjo është normale, sepse me ardhjen e Obamës në post, marrëdhëniet me Perëndimin janë përmirësuar”. Ditën e sotme presidenti Obama pritet të takohet me kryeministrin rus Vladimir Putin.
7 Korrik 2009