KE, Laakso: Të zgjidhet sa më parë kriza
Në një intervistë për BBC-në reporteri për Shqipërinë, Jaakko Laakso, thotë se është absolutisht e nevojshme që bojkoti i parlamentit të përfundojë. Ai thotë se gjetja e rrugës për të arritur deri këtu, do të jetë sfida kryesore gjatë vizitës që një delegacion i Këshillit të Evropës do të bëjë në Tiranë më 22 shkurt. “Po, kriza politike po vazhdon dhe ne jemi të shqetësuar se kjo krizë politike mund të acarohet. Objektivi ynë kryesor është që, para së gjithash, të parandalojmë acarimin e situatës dhe, siç e përmenda, të ndihmojmë për fillimin e një dialogu politik mes forcave politike. Ne kryesisht po mbështesim përpjekjet e presidentit Topi. Ne mendojmë se ai është ndërmjetësi kryesor dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet ta mbështesin presidentin”, theksoi ai. Për sa i përket, rolit të presidentit Topi në zgjidhjen e krizës, reporteri i KE-së, shprehet se kreu i shtetit ka luajtur një rol pozitiv dhe si të tillë do të mund ta luaj edhe tani. “Më duhet të them se ne jemi takuar me të në të gjitha vizitat që kemi pasur në Shqipëri. Mendoj se ai ka luajtur një rol pozitiv dhe, në fakt, partitë kryesore politike duhet të kontribojnë që roli i tij si ndërmjetës të jetë më i madh. Mendoj se e gjithë bashkësia ndërkombëtare ka të njëjtën qasje si Këshilli I Evropës se ne jemi në mbështetje të rolit ndërmjetësues të presidenti Topi, në mënyrë që ai të luajë një rol më të madh”, tha ai më tej.