E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk merrem me kundërshtarët. Janë në rrugën e PD-së”

03/02/2010  Deklarata e Ramës
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i mëshoi dhe dje me forcë faktit se kundërshtarët e tij brenda partisë nuk janë më pjesë e kampit rozë. Gjatë një interviste televizive kreu socialist u shpreh qartë se “nuk merrem me persona. Rruga e tyre, për fat të keq, nuk është rruga e PS-së, por përputhet me rrugën e Sali Berishës, kundër PS-së dhe interesave të saj”. Madje, duke forcuar më tej pozitat e tij në krye të PS-së, Rama sqaroi lidhur me kërkesën e ardhur nga përfaqësuesit e mendimit ndryshe në këtë parti, të cilët në kohën e rizgjedhjes së tij në krye të socialistëve kërkuann votim të fshehtë. “Unë jam zgjedhur kryetar i PS-së pasi dhashë dorëheqjen, pasi u hap një garë dhe pasi konkurrova me një propozim të thjeshtë. Kërkova votën për të vazhduar betejën për demokraci duke bojkotuar Parlamentin deri në realizimin e kërkesave tona dhe duke e organizuar në rrugën e protestës në hapjen e kutive. Votimi ishte i qartë, i pastër i prekshëm, 90 e ca për qind më dhanë mandatin për ta udhëhequr PS-në në këtë rrugë”, - vuri në dukje Rama. Madje, po në këtë linjë ai shtoi se “nuk ka votë të fshehtë të përfaqësuesve të popullit për qëndrimin, ka votë të fshehtë për zgjedhje. Por nuk ka votë të fshehtë për qëndrime as në Parlament. Ka transparencë qëndrimesh, sepse populli që të ka zgjedhur do të dijë çfarë qëndrimi mbahet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›